Pochettino vazhdon me SHBA-në deri në Botërorin 2030
BKT
Sport

Pochettino vazhdon me SHBA-në deri në Botërorin 2030

Uran Krasniqi / RTKLive

Përzgjedhësi i kombëtares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mauricio Pochettino, ka zgjatur kontratën dhe do ta udhëheqë ekipin deri në Kampionatin Botëror të vitit 2030.

Federata Amerikane e Futbollit ka njoftuar të hënën se trajneri argjentinas pesëdhjetë e katër vjeçar do ta vazhdojë projektin që ka nisur në vitin 2024, pasi këtë verë e kishte dërguar SHBA-në deri në fazën e 1/16 së finales së Botërorit.

Nën drejtimin e Pochettinos, SHBA-ja e kishte mbyllur në vendin e parë grupin ku bënin pjesë Australia, Paraguai dhe Turqia. Gjashtë pikët e grumbulluara ishin numri më i madh i pikëve që kombëtarja amerikane ka fituar ndonjëherë në fazën e grupeve të një Botërori.

Më pas amerikanët kishin eliminuar Bosnjë e Hercegovinën në fazën e 1/32 së finales, por janë ndalur në raundin tjetër pas humbjes 4:1 nga Belgjika.

"Ka potencial të jashtëzakonshëm për ta bërë edhe më të fortë kombëtaren e SHBA-së. Mbështetja që morëm nga tifozët gjatë Botërorit na bindi edhe më shumë për atë që mund të arrijmë",  ka deklaruar Pochettino.

Drejtori ekzekutiv i Federatës Amerikane, JT Batson, ka thënë se vazhdimi i bashkëpunimit do t'i japë mundësi ekipit të ndërtojë mbi progresin e arritur dhe të përgatitet për sfidat e ardhshme.

Pochettino më parë ka drejtuar Southampton, Tottenham Hotspur, Paris Saint-Germainin dhe Chelsea.