Vozinha mbërrin në Kili, gati të nënshkruajë me Colo-Colo
Uran Krasniqi / RTKLive
Portieri veteran i Kombëtares së Kepit të Gjelbër, Vozinha, ka mbërritur në Kili, ku pritet ta kompletojë transferimin te skuadra e njohur kiliane Colo-Colo.
Gardiani dyzet vjeçar do t'u nënshtrohet fillimisht ekzaminimeve mjekësore, ndërsa më pas pritet të nënshkruajë një kontratë gjashtëmujore me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Ai do t'i bashkohet stërvitjeve të ekipit të martën.
Sipas mediave kiliane, Vozinha mund të debutojë më 16 gusht në ndeshjen ndaj O'Higginsit, teksa Colo-Colo synon ta ruajë epërsinë në krye të kampionatit elitar të Kilit.
Portieri u bë një nga historitë më të bukura të Kampionatit Botëror të këtij viti në Amerikën e Veriut. Me paraqitjet e tij të shkëlqyera, ai ndihmoi Kombëtaren e Kepit të Gjelbër ta kalojë fazën e grupeve në pjesëmarrjen e parë historike në Botëror.
Skuadra afrikane barazoi me kampionen e mëvonshme, Spanjën, si dhe me Uruguain, dy herë kampion bote, ndërsa u eliminua vetëm pas një humbjeje minimale ndaj Argjentinës në fazën e 1/32 së finales.
Një tjetër detaj interesant lidhet me emrin që do të mbajë në fanellë. Edhe pse rregulloret në Kili zakonisht nuk lejojnë përdorimin e nofkave, Colo-Colo mori miratimin që portieri të luajë me emrin "Vozinha", emër me të cilin u bë i njohur në futbollin ndërkombëtar.
Emri i tij i vërtetë është Josimar Jose Evore Dias, ndërsa nofka "Vozinha", që në portugalisht do të thotë "gjyshja e vogël", iu vendos në fëmijëri nga djemtë më të mëdhenj të lagjes, pasi ai qante sa herë humbiste ndeshjet e futbollit në rrugë dhe kthehej me vrap te gjyshërit, me të cilët ishte rritur.
Para transferimit në Kili, Vozinha ishte pjesë e klubit portugez Chaves, ndërsa gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe në Angola, Qipro, Moldavi dhe Sllovaki.























