Arsenali gati të thyejë rekordin e Premierligës për transferimin e Vinicius
BKT
Sport

Arsenali gati të thyejë rekordin e Premierligës për transferimin e Vinicius

F.B/RTKLive

Arsenali raportohet se po përgatit ofertë marramendëse për Vinicius Juniorin.

Kampionët në fuqi të Anglisë synojnë ta bëjnë futbollistin më të paguar në Premier League

Arsenali është i gatshëm të intensifikojë përpjekjet për transferimin e yllit të Real Madridit, Vinicius Junior, duke përgatitur një ofertë që mund ta bëjë brazilianin futbollistin më të paguar në historinë e Premier League.

Sipas “Diario Sport”, drejtuesit e klubit londinez po monitorojnë nga afër situatën e 26-vjeçarit, pasi negociatat mes tij dhe Real Madridit për rinovimin e kontratës nuk kanë sjellë ende një marrëveshje.

Vinicius është rikthyer në Madrid për t'iu bashkuar fazës përgatitore pas pushimit që mori pas përfundimit të Kupës së Botës 2026, ndërsa Arsenali pritet të bëjë një ofertë zyrtare në ditët në vijim.

Aktualisht, braziliani përfiton rreth 400 mijë funte në javë, ndërsa Real Madridi raportohet se është i gatshëm t'ia rrisë pagën në 500 mijë funte në javë për ta bindur të vazhdojë qëndrimin në "Santiago Bernabeu".

Megjithatë, Arsenali thuhet se është i gatshëm të shkojë edhe më tej, duke ofruar një pagë që do të tejkalonte edhe atë të Erling Haaland, i cili aktualisht konsiderohet futbollisti më i paguar në Premier League me rreth 525 mijë funte në javë.

Brenda skuadrës së Arsenalit, lojtari me pagën më të lartë është Bukayo Saka, me rreth 350 mijë funte në javë.

Siç raportohet, Vinicius Junior dhe përfaqësuesit e tij pritet të zhvillojnë një takim me presidentin e Real Madridit, Florentino Perez, gjatë kësaj jave. Pas këtij takimi, Arsenali do të vendosë për hapat e ardhshëm në përpjekje për të realizuar një nga transferimet më të bujshme të verës.