Mbi një milion të evakuuar në Kinë nga tajfuni `Dolphin`
V.Th. / RTKLive
Mbi një milion persona janë evakuuar nga zonat e rrezikuara në Kinën lindore, përfshirë Shangain, pasi tajfuni “Dolphin” goditi bregdetin me erëra të fuqishme dhe reshje të dendura.
Tajfuni preku tokën në Yuhuan, në provincën Zhejiang, të dielën rreth orës 17:30 sipas kohës lokale, me erëra maksimale prej rreth 150 kilometrash në orë. Më pas, stuhia vijoi lëvizjen drejt brendësisë së vendit, duke sjellë rrezik të lartë për përmbytje dhe rrëshqitje dheu, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Stuhia ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në transport. Vetëm në Shangai janë anuluar rreth 1,400 fluturime, ndërsa autoritetet kanë evakuuar dhjetëra mijëra banorë dhe kanë marrë masa të shtuara për mbrojtjen e popullsisë.
Në provincën Zhejiang, qyteti i Wenzhous ka zhvendosur mbi 900 mijë banorë dhe ka hapur më shumë se 1,000 strehimore emergjente. Në Taizhou janë evakuuar rreth 390 mijë persona.
Autoritetet paralajmërojnë se reshjet intensive do të vazhdojnë, me rrezik për përmbytje dhe rrëshqitje dheu. Në disa zona të Zhejiang priten deri në 250 deri në 500 milimetra reshje. Paralajmërimet për mot të keq prekin edhe Shangain dhe provincat Jiangsu, Anhui e Fujian.
Për shkak të kushteve të rënda atmosferike, disa aktivitete dhe atraksione turistike janë pezulluar, ndërsa banorëve u është kërkuar të shmangin daljet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve.
Tajfuni “Dolphin” konsiderohet stuhia tropikale më e fuqishme që ka goditur Kinën gjatë këtij viti. Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën, ndërsa stuhia pritet të dobësohet gradualisht teksa lëviz drejt brendësisë së vendit.























