Ish-marinsi amerikan Robert Gilman lirohet nga Rusia
BKT
Rajoni dhe Bota

Ish-marinsi amerikan Robert Gilman lirohet nga Rusia

RTK

Robert Gilman, 32-vjeçar dhe ish-marins amerikan, ka mbërritur në Shtetet e Bashkuara pasi u lirua nga paraburgimi në Rusi, ku mbahej që nga viti 2022.

Ai u transportua me një aeroplan të specializuar mjekësor dhe, sipas një burimi të afërt me rastin, ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore dhe nuk mund as të ecë.

Presidenti amerikan Donald Trump tha se lirimi i Gilmanit u bë për arsye humanitare, pas bisedimeve me presidentin rus Vladimir Putin. Sipas një zyrtari amerikan, Putin kishte miratuar faljen e tij.

Trump theksoi se Rusia nuk kërkoi asgjë në këmbim dhe se nuk pati shkëmbim të të burgosurve.

Gilman u prit në bazën ushtarake Joint Base Andrews, pranë Uashingtonit, nga i dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, dhe këshilltari për sigurinë kombëtare, Seb Gorka.

Familja e tij dhe përfaqësuesit e tij kishin shprehur më herët shqetësim të madh për gjendjen e tij, duke pretenduar se ai kishte pësuar torturë fizike dhe psikologjike gjatë qëndrimit në paraburgim.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e mirëpriti lirimin, por tha se administrata amerikane vazhdon të kërkojë kthimin e menjëhershëm të shtetasve të tjerë amerikanë që konsiderohen të ndaluar padrejtësisht në Rusi, përfshirë Stephen Hubbard.

Gilman, i cili pritet të trajtohet në një spital ushtarak në Teksas, ishte arrestuar në janar të vitit 2022 dhe ishte dënuar me katër vjet e gjysmë burgim, pasi autoritetet ruse e akuzuan se, në gjendje të dehur, kishte sulmuar një oficer policie.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota