Irani kërcënon me ofensivë në Ngushticën e Hormuzit nëse dështon diplomacia
BKT
Foto: Reuters
Rajoni dhe Bota

Irani kërcënon me ofensivë në Ngushticën e Hormuzit nëse dështon diplomacia

G.K/RTKlive

Irani ka vendosur të kalojë nga një politikë mbrojtëse në një qasje “plotësisht ofensive”, për shkak të ngërçit në përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje të përhershme për përfundimin e luftës me Shtetet e Bashkuara, ka thënë një zyrtar i lartë iranian për Reuters.

Sipas Reuters, përparimi drejt bisedimeve të paqes dhe rifillimit të qarkullimit të cisternave të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit është ndalur, pa shenja se palët po afrohen drejt përfundimit të konfliktit.

“Institucionet iraniane duhet të jenë të përgatitura për përshkallëzim të tensioneve në Ngushticën e Hormuzit dhe në rajonin më të gjerë, pasi Irani do të jetë i gatshëm të marrë vendime dhe të ndërmarrë veprime të vështira”, ka thënë zyrtari iranian për Reuters.

Ai ka shtuar se Teherani do të ndërmarrë një sulm ushtarak “në kohën e duhur dhe me saktësi” për të thyer bllokadën detare amerikane, nëse diplomacia dështon.

Nga Uashingtoni nuk pati reagim të menjëhershëm ndaj këtyre deklaratave. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë në një intervistë telefonike për Fox News se Irani “duhet të ngrejë flamurin e bardhë të dorëzimit”.

Reuters raporton se e hëna ishte dita deri në të cilën Irani dhe Shtetet e Bashkuara pritej të arrinin një marrëveshje përfundimtare sipas memorandumit të mirëkuptimit të arritur në qershor.

Memorandumi, i nënshkruar më 17 qershor, përcaktonte një afat prej 60 ditësh, i cili mund të zgjatej me pëlqimin e ndërsjellë, për arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë, përfshirë kufizimin e programit bërthamor të Teheranit dhe heqjen e sanksioneve amerikane.

Marrëveshja e përkohshme u prish shpejt për shkak të mosmarrëveshjeve mbi kontrollin e Ngushticës së Hormuzit.

Teherani ka thënë se pika 5 e memorandumit i jepte të drejtën për menaxhimin e ngushticës, të cilën e ndan me Omanin, ndërsa Uashingtoni e ka kundërshtuar këtë interpretim.

“Brenda periudhës së shkurtër prej disa javësh të përcaktuar nga Irani, të gjitha dispozitat e marrëveshjes duhet të zbatohen nga SHBA-ja. Ky është parakusht për negociata të mëtejshme me SHBA-në”, ka thënë zyrtari iranian për Reuters.

Sipas tij, ndërmjetësuesit do t’ia përcjellin afatin e Teheranit Uashingtonit dhe vendeve të rajonit.

Teherani po zhvillon gjithashtu negociata me Omanin për menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit dhe thotë se palët janë pranë marrëveshjes, megjithëse përparimi ka qenë i ngadalshëm.

Trump, ndërkaq, ka kërcënuar edhe Omanin.

“Nëse Omani na del përpara, do t’i bombardojmë rëndë”, ka thënë Trump për Fox News.

Nga Omani nuk pati reagim të menjëhershëm.

Reuters raporton se mijëra njerëz janë vrarë në konflikt, kryesisht në Iran dhe Liban, që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit në fund të shkurtit.

Ndërkohë, sulmet e Houthive të mbështetur nga Irani në Jemen kanë shtuar shqetësimet për zgjerimin e konfliktit në rajon.

Sipas zëdhënësit ushtarak të Houthive, Yahya Saree, grupi ka sulmuar me raketa një anije që e ka cilësuar si ushtarake saudite dhe katër anije shoqëruese në Ngushticën Bab el-Mandeb.

Nga autoritetet saudite nuk pati konfirmim të menjëhershëm për sulmin.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota