Zjarri në Belgjikë i afrohet kufirit me Gjermaninë, banorët nën urdhër evakuimi
G.K/RTKlive
Një nga zjarret më të mëdha pyjore të regjistruara në Belgjikë vazhdon të jetë jashtë kontrollit, pavarësisht motit më të freskët dhe reshjeve të shiut, ndërsa flakët janë përhapur në drejtim të kufirit me Gjermaninë, raporton Associated Press.
Zjarri në provincën Liège ka djegur rreth 30 kilometra katrorë dhe ndodhet rreth tetë kilometra nga kufiri gjerman.
Sipas autoriteteve të Wallonisë, zjarri nuk është zgjeruar ndjeshëm, pjesërisht për shkak të erërave të favorshme, por vazhdon të jetë jashtë kontrollit në zona ku ekipet tokësore nuk mund të depërtojnë.
Rreth 500 zjarrfikës po marrin pjesë në operacion, të ndihmuar nga avionë të dërguar nga Norvegjia, Suedia, Gjermania dhe Holanda, si dhe nga policia lokale me dronë. Fermerët po ndihmojnë gjithashtu në furnizimin me ujë.
“Arritëm ta mbanim zjarrin aty ku ndodhen zjarrfikësit, por ende ekziston një zonë krejtësisht e paarritshme, ku zjarri vazhdon në drejtim të Monschau në Gjermani”, tha Nicolas Yernaux, zëdhënës i shërbimeve publike rajonale të Wallonisë.
Një rojtar pyjor i tha AP-së se zjarri mund të vazhdojë të digjet për javë ose muaj nën tokë, për shkak të shtresave të torfës, dhe të riaktivizohet përsëri.
Urdhrat paraprakë për evakuim mbeten në fuqi për qindra banorë.
Ndërkohë, në Greqi, një zjarr u riaktivizua për pak kohë pranë aeroportit kryesor në periferi të Athinës.























