Sulmi rus në rajonin e Kharkivit, 10 të vrarë dhe 8 të plagosur
B.H./RTKlive
Një sulm raketor rus në rajonin e Kharkivit, në lindje të Ukrainës, ka shkaktuar vdekjen e 10 personave dhe plagosjen e tetë të tjerëve.
Sulmi goditi zonën e Peçenehëve, ndërsa sipas guvernatorit të rajonit të Kharkivit, Oleh Syniehubov, janë dëmtuar dhjetë banesa, një zyrë postare, një dyqan dhe të paktën shtatë automjete.
Ndërkohë, Forcat Ajrore të Ukrainës kanë bërë të ditur se gjatë natës kanë neutralizuar 111 nga gjithsej 147 dronë rusë, përfshirë dronë sulmues Shahed dhe dronë mashtrues.
Sipas autoriteteve ukrainase, dronët janë lëshuar nga bazat ruse në Kursk, Orel, Millerovo dhe Primorsko-Ahtarsk, si dhe nga territoret e pushtuara të Ukrainës në Donetsk dhe Krime.
Sulmet kanë prekur 19 lokalitete, ndërsa mbetjet e mjeteve ajrore të rrëzuara kanë rënë në tri zona.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina do t'i përgjigjet sulmit rus në Kharkiv.
“Do t’i përgjigjemi patjetër këtij sulmi rus dhe është po aq e rëndësishme që partnerët tanë t’i bashkohen përgjigjes sonë ushtarake me veprimet e tyre të presionit ndaj Rusisë dhe mbështetjes për Ukrainën”, ka shkruar Zelensky në Telegram.























