Shkon në 4 numri i viktimave nga ethet e Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut
G.K/RTKlive
Televizioni shtetëror i Maqedonisë së Veriut, MRT, ka raportuar se ka vdekur edhe një pacient nga ethet e Nilit Perëndimor, duke e çuar në katër numrin e viktimave nga virusi deri më tani.
Sipas MRT-së, drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive ka bërë të ditur se pacienti ishte trajtuar për 27 ditë në Klinikë, por për shkak të sëmundjeve serioze të trurit ka humbur jetën.
Aktualisht, në Maqedoninë e Veriut janë të hospitalizuar 20 pacientë me ethet e Nilit Perëndimor, prej të cilëve 18 janë raste të konfirmuara laboratorikisht, ndërsa dy trajtohen si raste të dyshuara. Pacienti më i ri është 24 vjeç.
Pesë pacientë ndodhen në kujdes intensiv me gjendje klinike më të rëndë dhe po trajtohen sipas protokolleve klinike.
MRT raporton se ndërkohë është intensifikuar kontrolli i bartësve të mundshëm të virusit, me fokus të veçantë te shpendët e egër. Qytetarëve u është bërë thirrje që rastet e shpendëve të ngordhur t’i raportojnë te Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe të shmangin kontaktin me ta.
Në Shkup po zhvillohet edhe dezinsektimi i 13-të kundër mushkonjave për këtë sezon. Më 20 dhe 21 gusht është paraparë spërkatje nga ajri, ndërsa nga 23 deri më 26 gusht do të zhvillohet një dezinsektim i ri kundër mushkonjave.
Një javë më parë, epidemi e etheve të Nilit Perëndimor ishte shpallur në pesë komuna të Shkupit.























