Rrënohen pesë objekte të ndërtuara pa leje në zonën e Liqenit të Radoniqit
Valjeta Shala/ RTK
(E plotësuar) Inspektoriati Mjedisor ka rrënuar pesë objekte të ndërtuara pa leje në zonën e Liqenit të Radoniqit në Gjakovë.
Ministrja në detyrë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se janë rrënuar 5 objekte të ndërtuara në pronë publike në afërsi të Liqenit të Radoniqit!
"5 objekte të ndërtuara pa leje në pronë publike te Liqeni i Radoniqit janë rrënuar sot nga Inspektorati Mjedisor. Pronat publike dhe hapësirat tona natyrore do të mbrohen me vendosmëri. Do të vazhdojmë me aksione të tilla për të vendosur ligjshmëri në çdo cep të Kosovës, duke mbrojtur pronat ujore, burimet e ujit të pijshëm dhe natyrën e bukur të Kosovës. Uji është pasuri që duhet ta mbrojmë për qytetarët dhe gjeneratat e ardhshme", ka shkruar ajo në Facebook".
Pacolli: Aksioni tek Liqeni i Radoniqit ka qëllim vendosjen e ligjshmërisë
Ministrja në detyrë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, po përcjell nga afër punën e Inspektoratit Mjedisor, i cili ka nisur aksionin për rrënimin e disa objekteve të ndërtuara pa leje në pronën publike në zonën e Liqenit të Radoniqit në Gjakovë.
Sipas saj, ky aksion ka për qëllim vendosjen e ligjshmërisë anë e mbanë Kosovës dhe lirimin e pronës publike nga uzurpimet e paligjshme.
Ministrja Pacolli tha se aksioni për rrënimin e objekteve pa leje në prona publike ka filluar në veri, sot po zhvillohet në Gjakovë dhe do të vazhdojë edhe në pjesë të tjera të Kosovës.
KRU “Gjakova: Pesë objekte të ndërtuara pa leje
KRU “Gjakova” përmes një deklarate informon se ndërmarrja e ka ndjekur për disa vite dhe që sot ka marrë një zhvillim konkret me rrënimin e pesë objekteve të ndërtuara pa leje në pronën e Kompanisë, në Z.K. Rakoc, brenda zonës së mbrojtur ujore të Liqenit të Radoniqit.
“KRU “Gjakova” e ka evidentuar këtë rast që në vitin 2019 dhe menjëherë ka ndërmarrë veprime institucionale për mbrojtjen e pronës dhe të zonës së mbrojtur ujore. Më 28.10.2019, Inspektorati i Ministrisë, pas inspektimit në terren, ka konstatuar se objektet ishin ndërtuar pa leje, në pronën e KRU “Gjakova” dhe brenda zonës së mbrojtur ujore, duke kërkuar vazhdimin e procedurave deri në rrënimin e tyre. Ndërkohë, personat që kishin ndërtuar këto objekte iniciuan procedurë për de-eksproprijimin e parcelave. KRU “Gjakova” e kundërshtoi këtë kërkesë dhe çështja shkoi deri në instancat më të larta gjyqësore. Gjykata Themelore, me Aktvendimin C.nr.207/19, datë 06.07.2020, e ka hedhur poshtë propozimin për de-eksproprijim. Gjykata e Apelit, me Aktvendimin Ac.nr.3490/2020, datë 29.01.2021, e ka refuzuar ankesën. Ndërsa Gjykata Supreme, me vendimin Rev.nr.171/2021, datë 28.06.2021, e ka refuzuar revizionin”, thuhet në deklaratën e KRU “Gjakova”.
Pra, KRU “Gjakova” njofton se procedura gjyqësore është ndjekur në të gjitha shkallët dhe ka përfunduar në favor të KRU “Gjakova”.
“Pas përfundimit të procedurave gjyqësore, më 04.11.2021, KRU “Gjakova” iu drejtua përsëri Ministrisë, duke kërkuar ndërmarrjen e masave konkrete për rrënimin e objekteve. Po ashtu, më 11.11.2022, KRU “Gjakova” ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gjakovë për veprën penale “Ndërtimi pa leje” ndaj personave përkatës. Për shkak të mungesës së informacionit lidhur me trajtimin e këtij kallëzimi, më 16.08.2024, KRU “Gjakova” iu drejtua Kryeprokurorit me kërkesë për informim mbi statusin e rastit. Ndërsa sot kemi një zhvillim konkret. Më 18.08.2026, Ministria e Mjedisit e ka shqyrtuar këtë rast dhe, përmes operatorit të saj për rrënime, janë rrënuar pesë objektet e ndërtuara pa leje. Ky është një rezultat i rëndësishëm për KRU “Gjakova”, sepse bëhet fjalë për pronën e Kompanisë dhe për një hapësirë që ndodhet brenda zonës së mbrojtur ujore të Liqenit të Radoniqit. Dua të theksoj se ky rrënim nuk është një veprim i shkëputur. Ai është rezultat i një procesi të gjatë institucional dhe ligjor që ka filluar në vitin 2019 dhe është ndjekur nga KRU “Gjakova” në vazhdimësi. Kompania ka bërë të gjitha veprimet që kanë qenë në kompetencën e saj: ka evidentuar rastin, ka kërkuar ndërhyrjen e institucioneve, ka ndjekur procedurat inspektuese dhe gjyqësore, ka paraqitur kallëzim penal dhe ka kërkuar vazhdimisht ndërmarrjen e masave konkrete. Sot, me rrënimin e këtyre pesë objekteve, bëhet një hap konkret në mbrojtjen e pronës së KRU “Gjakova” dhe të zonës së mbrojtur të Liqenit të Radoniqit. KRU “Gjakova” do të vazhdojë të jetë e vendosur në mbrojtjen e pronës së saj dhe të burimeve ujore, sepse Liqeni i Radoniqit është një aset jetik dhe strategjik për furnizimin me ujë të qytetarëve dhe duhet të mbrohet nga çdo ndërtim apo ndërhyrje e kundërligjshme”, thuhet në deklaratë.






















