Kurti flet për avancimin e të drejtave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian
N.M. /RTKlive
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se mbi 80 për qind e aktiviteteve të parapara në Planin e Veprimit për avancimin e të drejtave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për periudhën 2022–2026 janë përmbushur plotësisht.
Këtë e ka bërë të ditur gjatë Samitit Rajonal për Luftimin e Diskriminimit Racor ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, ku ka theksuar se përfshirja e këtyre komuniteteve është çështje e të drejtave të qytetarëve dhe përgjegjësi e shtetit, e jo çështje e privilegjeve apo favorizimeve.
Kurti ka thënë se gjatë qeverisjes së tij janë ndërmarrë veprime konkrete për luftimin e diskriminimit dhe krijimin e mundësive të barabarta në arsim, punësim dhe institucione.
Duke folur për mbështetjen në arsim, ai ka bërë të ditur se për vitin akademik 2025–2026 janë ndarë 494 bursa për nxënësit e këtyre komuniteteve, në vlerë të përgjithshme prej 190 mijë e 800 eurosh. Ndërsa për vitin shkollor 2026–2027 janë ndarë 554 bursa.
Sipas Kurtit, vlera e bursës për nxënës është rritur nga 300 në 400 euro për vit mësimor.
Ai ka theksuar se është rritur edhe mbështetja financiare për qendrat mësimore, duke bërë të ditur se buxheti për 10 organizata joqeveritare që menaxhojnë gjithsej 54 qendra është rritur nga 250 mijë në 370 mijë euro.
Përmes kësaj mbështetjeje, gjatë vitit shkollor 2026–2027, mbi 2 mijë e 600 fëmijë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian pritet të përfitojnë ndihmë në mësimnxënie, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.
Kurti ka bërë të ditur gjithashtu se janë hartuar draft-materialet mësimore për historinë, kulturën dhe traditat e këtyre komuniteteve, ndërsa është planifikuar edhe rishikimi i programeve mësimore të gjuhës rome dhe përgatitja e teksteve të reja.
Ai ka vlerësuar se arsimi është një nga instrumentet më të fuqishme për luftimin e pabarazisë, duke theksuar se asnjë fëmijë nuk duhet ta ketë të ardhmen e kufizuar për shkak të rrethanave në të cilat ka lindur apo jeton.
Në fjalimin e tij, kryeministri ka theksuar edhe rëndësinë e kushteve të jetesës dhe banimit, të cilat i ka cilësuar si të drejta themelore dhe parakushte për mirëqenie, siguri dhe integrim.
Duke folur për kushtet e jetesës, Kurti ka theksuar se barazia e mundësive nuk mund të arrihet pa siguruar edhe kushte të përshtatshme banimi për familjet në nevojë.
Ai ka bërë të ditur se përmes programeve për banimin social adekuat dhe banimin e përballueshëm, Qeveria po synon të krijojë mundësi më të mëdha për familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.
Kurti ka deklaruar se janë ndarë rreth 37 milionë euro për ndërtimin e banesave sociale, si dhe për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive të familjeve të cenueshme, përfshirë familjet nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Ai ka vlerësuar se banimi është e drejtë themelore dhe parakusht për mirëqenie, siguri dhe integrim, duke theksuar se shtëpia paraqet siguri për familjen, stabilitet për prindërit dhe mundësi për fëmijët.
Duke folur për përfshirjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në tregun e punës, kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo mbetet një ndër prioritetet e Qeverisë, duke theksuar se punësimi siguron pavarësi ekonomike, dinjitet dhe pjesëmarrje aktive në shoqëri.
Ai ka bërë të ditur se në vitin 2022 është themeluar ekipi ndërinstitucional për promovimin e punësimit të këtyre komuniteteve, ndërsa në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë organizuar edhe ditë të hapura për të inkurajuar pjesëtarët e komuniteteve joshumicë, veçanërisht të rinjtë, që t'u bashkohen institucioneve të sigurisë.
Sipas Kurtit, që nga themelimi i këtij ekipi, numri i pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian të punësuar në Policinë e Kosovës është rritur për 37, duke arritur në gjithsej 70.
Ai ka përmendur edhe përfaqësimin e këtyre komuniteteve në pozita të ndryshme në Policinë e Kosovës, duke bërë të ditur se në radhët e saj ka një major nga komuniteti rom, një toger nga komunitetet ashkali dhe egjiptian, një kapiten nga komuniteti ashkali, si dhe shtatë rreshterë, dy romë, dy egjiptianë dhe tre ashkalinj.
Kurti ka theksuar gjithashtu se në Qeverinë që drejton ka një ministër dhe dy zëvendësministra nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, duke vlerësuar rëndësinë e përfaqësimit të tyre në institucionet shtetërore.






















