Komisioni Hetimor vendos për intervistimin e zyrtarëve në rastin e Arlinda Zekajt
Sh.Ç/RTKlive
(E plotësuar) Komisioni Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt ka diskutuar mënyrën e intervistimit të zyrtarëve institucionalë, duke u pajtuar që procesi të zhvillohet kryesisht në seanca të hapura për publikun, ndërsa informacionet konfidenciale të trajtohen në mbledhje të mbyllura.
Gjatë mbledhjes, deputetët ngritën çështjen e transparencës dhe të sigurimit të dokumentacionit nga institucionet përkatëse.
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, kërkoi sqarime përse kërkesat për dokumente nuk u ishin dërguar të gjitha institucioneve, pavarësisht dakordimit të mëhershëm.
Kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, tha se vonesa kishte ardhur për arsye teknike dhe siguroi se një situatë e tillë nuk do të përsëritet.
Ai njoftoi se më 27 nëntor do të ftohen për intervistim hetuesit policorë, ndërsa nga 30 nëntori deri më 4 dhjetor do të intervistohen zyrtarët e zinxhirit komandues të Policisë dhe Inspektoratit Policor.
Ndërkohë, deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, propozoi që intervistimet të ndahen në dy faza: pjesa e parë të zhvillohet publikisht, ndërsa pjesa e dytë, që përfshin të dhëna personale dhe konfidenciale, të mbahet pa praninë e publikut.
Ky propozim u mbështet edhe nga deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani.
Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe intervistimit të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale, për të cilët Doarsa Kica-Xhelili rekomandoi mbledhje të mbyllur, për shkak të pyetjeve që mund të përfshijnë informacione lidhur me fëmijën.
Në përfundim, kryetari i Komisionit, Burim Ramadani, sqaroi se kërkesa për mbylljen e një pjese të intervistimit duhet të bëhet nga pala që dëshmon, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga anëtarët e Komisionit përmes votimit.
Nis intervistimi i dëshmitarëve për rastin Arlinda Zekaj
Ka nisur mbledhja e Komisionit Hetimor Parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, ku pritet të intervistohen disa zyrtarë institucionalë dhe përfaqësues të Qendrës për Punë Sociale në Pejë.
Gjatë mbledhjes, e cila po zhvillohet nën drejtimin e kryetarit të Komisionit, Burim Ramadani, pritet të dëgjohen dëshmitë e Toska Gegës, Durim Kelmendit, Shpat Morinës, Shpresa Lukajt dhe kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit.
Në fillim të mbledhjes pati edhe përplasje verbale mes deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani, dhe anëtarit të Komisionit nga VV-ja, Armend Baloku.
Debati nisi lidhur me mundësinë e konfliktit të interesit të ekspertit Skender Kandiq, për shkak të angazhimit të tij të mëparshëm në Qendrën për Punë Sociale.
Deputeti Eman Rrahmani ka ngritur çështjen e mundësisë së konfliktit të interesit nga ana e ekspertit të angazhuar në këtë komision, Skender Kandiq.
Rrahmani kërkoi nga Kandiq që të sqarojë angazhimin e tij të mëparshëm në Qendrën për Punë Sociale, në mënyrë që të shmangen situatat që mund të ndikojnë në punën e komisionit.
“Sa i përket ekspertëve, ne kemi votuar në mbledhjen e fundit edhe një ekspert tjetër. Ai është votuar në mbledhjen e fundit të këtij komisioni. Nga eksperti Skender Kandiq do të kërkoja të deklarojë nëse ka konflikt interesi në këtë komision, për shkak se ai ka qenë pjesë e Qendrës për Punë Sociale. Do të ishte mirë të na njoftonte për punën dhe angazhimin e tij para se të fillojmë këtë proces, në mënyrë që të mos vijmë në një situatë të papërshtatshme gjatë punës së komisionit”, ka theksuar Rrahmani.
Gjithashtu, Rrahmani ka kërkuar që eksperti të japë detaje për periudhën gjatë së cilës ka qenë i angazhuar në QPS dhe për funksionet që ka ushtruar.
“Na tregoni për aktivitetin tuaj, periudhën kur keni qenë i angazhuar dhe ku keni punuar deri në periudhën e fundit”, ka theksuar Rrahmani.
Skender Kandiq sqaroi se në Qendrën për Punë Sociale kishte punuar për 17 vjet para luftës, ndërsa pas luftës kishte ushtruar detyrën e drejtorit në Spitalin Rajonal të Shëndetit Mendor, deri në pensionim.
Ai mohoi kategorikisht mundësinë e konfliktit të interesit, duke theksuar se pas luftës nuk kishte pasur më asnjë kontakt me QPS-në në Pejë.
“Para luftës kam punuar në Qendrën për Punë Sociale për 17 vjet. Pas luftës kam qenë drejtor i Spitalit Rajonal të Shëndetit Mendor deri në pensionim. Në QPS pas luftës nuk kam pasur asnjë kontakt, pra në QPS në Pejë. Nuk kam asnjë konflikt interesi”, ka deklaruar Kandiq.
Komisioni po shqyrton veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.






















