Portugalia ndalon mbulimin e fytyrës në hapësira publike
BKT
Rajoni dhe Bota

Portugalia ndalon mbulimin e fytyrës në hapësira publike

G.K/RTKlive

Portugalia ka ndaluar mbulimin e fytyrës në hapësirat publike, pasi presidenti Antonio Jose Seguro nënshkroi ligjin e propozuar fillimisht nga partia e djathtë Chega.

Seguro e miratoi masën të martën, duke thënë se ajo trajton një çështje me “ndjeshmëri të madhe sociale dhe kulturore”, sipas një njoftimi të Pallatit Belem, selisë presidenciale në Lisbonë.

Ligji ndalon veshjet e krijuara për të fshehur fytyrën, ndërsa parashihen përjashtime për arsye shëndetësore, pune, arti dhe në objektet fetare.

Presidenti portugez tha se ndryshimet e bëra gjatë procesit parlamentar e kishin bindur që ta nënshkruante ligjin. Ai përmendi integrimin social, mosdiskriminimin dhe sigurinë publike, si dhe vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me mbulimin e fytyrës.

“Për Presidentin e Republikës, fytyra e pambuluar përbën një dimension strukturor të besimit shoqëror, një karakteristikë të shoqërisë portugeze. Bashkëjetesa e përditshme bazohet në njohjen e ndërsjellë dhe mundësinë e krijimit të një marrëdhënieje të drejtpërdrejtë mes njerëzve”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë po ashtu thuhet se pranimi që gratë, dhe vetëm gratë, duhet ta fshehin të gjithë fytyrën e tyre, nënkupton një pabarazi të papajtueshme me vlerat e barazisë dhe dinjitetit të njëjtë mes burrave dhe grave.

Amnesty International në Portugali e ka kritikuar ligjin si diskriminues, duke thënë se ai kërcënon të drejtat e grave myslimane që zgjedhin ta mbulojnë fytyrën.

Portugalia u bashkohet Francës, Belgjikës, Austrisë, Danimarkës dhe Holandës, të cilat kanë kufizime të plota ose të pjesshme për mbulimin e fytyrës në vende publike. / Burimi: Anadolu Ajansi


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota