Avioni i Forcave Ajrore Rumune shkatërroi një dron detar
A.B/RTKLive
Droni detar, i shkatërruar të enjten me topin e bordit të një avioni F-16 të Forcave Ajrore Rumune, kishte lëndë shpërthyese, konfirmoi ministri në detyrë i Mbrojtjes, Radu Miruță.
Ai tha gjithashtu se një ekip ekspertësh për eksplozivët shkoi në zonën përkatëse me një anije të Rojës Bregdetare dhe e shkatërroi plotësisht dronin.
Ministri theksoi se në Detin e Zi ishte zbuluar vetëm një dron, në afërsi të platformës Neptun Alpha, rreth 80 milje detare në lindje të Konstancës, në zonën ekskluzive ekonomike të Rumanisë.
Radu Miruță saktësoi se droni nuk ishte ukrainas, gjë që u konfirmua përmes kanalit të komunikimit të drejtpërdrejtë, të krijuar së fundmi me autoritetet në Kiev.
Edhe presidenti Nicușor Dan dënoi ashpër intensifikimin e këtyre incidenteve të papërgjegjshme nga ana e Federatës Ruse dhe theksoi se Rumania mbetet vigjilente, së bashku me aleatët e saj në NATO, për t’u mbrojtur dhe për t’iu përgjigjur provokimeve të tilla.
Nga Brukseli, edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se bëhet fjalë për një luftë hibride dhe se Bashkimi Evropian mund t’u përgjigjet kërcënimeve me shpejtësi, unitet dhe vendosmëri, raportojnë mediat romune.























