Geci shpëton Drenicën, kuqezinjtë i marrin një pikë Malishevës
BKT
Sport

Geci shpëton Drenicën, kuqezinjtë i marrin një pikë Malishevës

F.Bytyqi/RTKLive

Drenica ka marrë një pikë të vlefshme në udhëtim ndaj Malishevës, duke barazuar 1-1 në minutat e fundit të takimit të vlefshëm për xhiron e dytë të Superligës së Kosovës.

Skuadra vendase e kishte kontrollin e rezultatit për pjesën më të madhe të ndeshjes dhe kaloi në epërsi pak para përfundimit të pjesës së parë.

Ishte Xhemal Ibishi ai që realizoi në minutën e 41-të, duke i dhënë Malishevës avantazhin 1-0, rezultat me të cilin skuadrat shkuan në pushim.

Drenica u përpoq të reagonte në pjesën e dytë, por goli i barazimit erdhi vetëm në kohën shtesë.

Në minutën e parë të shtesës, Elvis Geci u shfaq në vendin e duhur për ta dërguar topin në rrjetë dhe për ta vendosur rezultatin përfundimtar në 1-1.

Geci përfitoi nga topi i kthyer prej shtyllës pas goditjes së Altin Vojvodës dhe nga afërsia nuk gaboi, duke i siguruar Drenicës një pikë.

Kështu, Malisheva mbetet me katër pikë pas dy xhirove, ndërsa Drenica regjistron barazimin e dytë radhazi dhe shkon në kuotën e dy pikëve.

Drenica kishte barazuar edhe në ndeshjen hapëse të sezonit ndaj Dukagjinit, ndërsa Malisheva tani numëron një fitore dhe një barazim në dy ndeshjet e para.