‘Taranto 2026’, Kosova gati për ceremoninë e hapjes së Lojërave Mesdhetare
F.Bytyqi/RTKLive
Kosova është gati për ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, që po zhvillohen në Itali.
Në ceremoninë e hapjes do të marrë pjesë edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila do të jetë pjesë e delegacionit kosovar në këtë ngjarje të rëndësishme sportive ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e saj i jep një rëndësi të veçantë përfaqësimit të Kosovës në këtë edicion të Lojërave Mesdhetare, ndërsa në qendër të vëmendjes do të jenë sportistët kosovarë që do të garojnë në disiplina të ndryshme.
Ceremonia e hapjes e cila nis në orën 20:00 dhe transmetohet në RTK, shënon nisjen zyrtare të garave të “Taranto 2026”, ku delegacioni i Kosovës do të parakalojë së bashku me përfaqësuesit e vendeve të tjera pjesëmarrëse.
Sportistët kosovarë tashmë kanë përfunduar përgatitjet dhe janë gati të nisin garat, me synimin për të dhënë maksimumin dhe për të siguruar rezultate sa më të mira.
Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” bashkojnë sportistë nga vendet e rajonit të Mesdheut, ndërsa Kosova synon një pjesëmarrje dinjitoze dhe rezultate sa më të mira në këtë ngjarje të rëndësishme sportive.























