Sportistët e Kosovës parakalojnë në ceremoninë hapëse të ‘Taranto 2026’
BKT
Sport

Sportistët e Kosovës parakalojnë në ceremoninë hapëse të ‘Taranto 2026’

Fatmir Bytyqi/RTKLive

(E përditësuar, 21:06)-Delegacioni i Kosovës ka parakaluar në ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, e cila po mbahet në stadiumin “Erasmo Iacovone” në Taranto të Italisë, event që po transmetohet drejtpërdrejt në RTK.

Sportistët dhe përfaqësuesit e delegacionit kosovar me flamurin e shtetit tonë po defilojnë në hapjen e edicionit të 20-të të Lojërave Mesdhetare.

Në këtë ngjarje po merr pjesë edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila ndodhet në Taranto në mbështetje të delegacionit dhe sportistëve kosovarë.

Pjesëmarrja e Haxhiut i jep një rëndësi të veçantë përfaqësimit institucional të Kosovës në ceremoninë hapëse, e cila mbledh në Itali delegacione nga 26 shtete.

Kosova në “Taranto 2026” përfaqësohet me 163 sportistë, prej tyre 87 meshkuj dhe 76 femra, të cilët do të garojnë në 21 sporte.

Për herë të parë, Kosova do të ketë pjesëmarrje edhe në katër sporte ekipore: futboll, hendboll, volejboll dhe basketboll, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm për sportin kosovar.

Ceremonia e hapjes në stadiumin “Iacovone” shënon nisjen zyrtare të Lojërave Mesdhetare, të cilat do të zhvillohen deri më 3 shtator.

Pas parakalimit të delegacioneve, sportistët kosovarë do t’i drejtohen garave, ku synojnë paraqitje sa më të mira dhe rezultate pozitive në disiplinat përkatëse.

Për Kosovën, “Taranto 2026” paraqet një tjetër mundësi për të dëshmuar potencialin e sportistëve të saj në arenën ndërkombëtare, ndërsa prania e delegacionit të madh dhe pjesëmarrja në sportet ekipore e bëjnë këtë një edicion të veçantë për vendin.

Kosova tashmë është gati për sfidat në ‘Taranto 2026’.

Shqipëria parakalon në ceremoninë hapëse të ‘Taranto 2026’

(E përditësuar, 20:44)- Delegacioni i Shqipërisë ka parakaluar në ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, që po zhvillohet në stadiumin “Erasmo Iacovone” në Taranto të Italisë.

Sportistët dhe përfaqësuesit shqiptarë kanë marrë pjesë në parakalimin e delegacioneve, duke përfaqësuar Shqipërinë në edicionin e 20-të të Lojërave Mesdhetare.

Ceremonia hapëse shënon nisjen zyrtare të një prej ngjarjeve më të rëndësishme sportive të rajonit të Mesdheut, ku marrin pjesë delegacione nga 26 shtete.

Shqipëria synon të ketë një paraqitje sa më të mirë në këtë edicion, me sportistët kuqezi që do të garojnë në disiplina të ndryshme sportive gjatë ditëve në vijim.

“Taranto 2026” do të zhvillohet deri më 3 shtator, ndërsa në këtë edicion pritet të marrin pjesë rreth 3,800 sportistë në 33 sporte.

Ceremonia e hapjes në stadiumin “Iacovone” përfshin një program të pasur artistik dhe kulturor, ndërsa parakalimi i delegacioneve shënon një nga momentet më simbolike të këtij eventi.

Tashmë, vëmendja zhvendoset te garat sportive, ku Shqipëria do të kërkojë rezultate sa më të mira dhe përfaqësim dinjitoz në “Taranto 2026”.

Nis ceremonia e hapjes ‘Taranto 2026, Kosova me 163 sportistë

Zyrtarisht ka nisur ceremonia e hapëse e Lojërave Mesdhetare ‘Taranto 2026, edicion ky i 20-ti dhe që vjen ekskluzivisht në Radio Televizionin e Kosovës.

‘Taranto 2026’ nisi sonte në stadiumin e rinovuar “Erasmo Iacovone” e që do të zgjasë deri më 3 shtator.

Në këtë edicion marrin pjesë 26 shtete, me rreth 3,800 sportistë, ndërsa garat zhvillohen në dhjetëra disiplina sportive.

Në mesin e delegacioneve pjesëmarrëse do të jetë edhe Kosova, e cila këtë herë përfaqësohet me 163 sportistë, numri më i madh në historinë e pjesëmarrjes së vendit në Lojërat Mesdhetare. Kosova do të garojë në 17 sporte individuale dhe katër sporte ekipore – futboll, hendboll, volejboll dhe basketboll.

Haxhiu merr pjesë në ceremoninë e hapjes

Në Taranto ndodhet edhe Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e cila po merr pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Mesdhetare.

Haxhiu gjatë qëndrimit në Taranto ka vizituar edhe delegacionin e Kosovës, duke ndjekur nga afër disa nga aktivitetet e sportistëve kosovarë dhe duke i mbështetur ata në garat e tyre.

Pjesëmarrja e saj në këtë ngjarje merr rëndësi të veçantë edhe për faktin se Prishtina do të jetë nikoqire e edicionit të ardhshëm të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.

Mattarella dhe Meloni në ceremoninë hapëse

Në ceremoninë e hapjes janë figura të larta të shtetit italian. Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, është pjesë e ceremonisë, ndërsa në mesin e të ftuarve të rëndësishëm është edhe kryeministrja Giorgia Meloni.

Ceremonia do të shërbejë edhe si momenti i hyrjes zyrtare të delegacioneve të 26 shteteve pjesëmarrëse në stadiumin “Iacovone”.

Koncepti artistik i ceremonisë lidhet ngushtë me historinë dhe identitetin e Tarantos. Shfaqja do të ndërthurë të kaluarën e qytetit, detin, kulturën e Magna Graecia-s dhe vlerat e sportit, duke u bazuar në moton “Embrace the Future – Abbracciamo il Futuro”.

Në programin artistik do të performojnë emra të njohur të muzikës italiane, mes tyre Al Bano, Mietta dhe Serena Brancale.

Kosova nis garat me ambicie të mëdha

Për Kosovën, “Taranto 2026” përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në skenën sportive ndërkombëtare. Përveç numrit rekord të sportistëve, pjesëmarrja për herë të parë në katër sporte ekipore i jep delegacionit kosovar një dimension të ri.

Sportistët tashmë kanë nisur garat që në ditët e para të Lojërave, ndërsa synimi mbetet paraqitja sa më e mirë dhe sigurimi i rezultateve pozitive.

Ceremonia hapëse në “Iacovone” shënon kështu fillimin zyrtar të një prej ngjarjeve më të mëdha sportive të vitit në rajonin e Mesdheut, me Kosovën që hyn në këtë edicion me delegacionin më të madh të dërguar ndonjëherë në Lojërat Mesdhetare.