Rusia sulmon katër qytete ukrainase, Ukraina godet rafinerinë në Krasnodar
BKT
Rajoni dhe Bota

Rusia sulmon katër qytete ukrainase, Ukraina godet rafinerinë në Krasnodar

B.H./RTKlive

Rusia ka ndërmarrë gjatë natës sulme të njëkohshme ndaj katër qyteteve ukrainase, duke goditur Kievin, Kharkivin, Zaporizhzhian dhe Dnipron.

Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, sulmet kanë shkaktuar zjarre në disa zona dhe kanë dëmtuar ndërtesa banimi. Autoritetet ukrainase janë angazhuar në terren për menaxhimin e situatës dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga sulmet.

Në të njëjtën kohë, ushtria ukrainase ka kryer një sulm ndaj territorit të Rusisë, në rajonin e Krasnodarit. Sipas informacioneve të raportuara, objektiv i sulmit ka qenë rafineria e naftës në Afipsky.

Zhvillimet e fundit vijnë pas një nate tjetër të tensionuar në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa sulmet ajrore dhe me dronë vazhdojnë të prekin zona në të dyja palët e konfliktit.

Një ditë më parë, në Kiev u mbajt takimi i liderëve të koalicionit të njohur si “të Vullnetshmit”, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës. Në takim është diskutuar për vazhdimin e mbështetjes ndaj Ukrainës, përfshirë ndihmën ushtarake.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë të re ndihme prej 6.1 miliardë eurosh për Ukrainën, e cila pritet të përdoret për forcimin e mbrojtjes ajrore, sigurimin e raketave dhe radarëve.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota