Egnatia e ruan nderin e futbollit shqiptar në Evropë
Uran Krasniqi / RTKLive
Egnatia do të jetë skuadra e vetme shqiptare që do të vazhdojë garat evropiane në edicionin 2026/27.
Kampionia e Shqipërisë është mposhtur të enjten mbrëma 2-1 nga Lillestrom në Norvegji, në ndeshjen e kthimit të "play-off" të Europa League. Pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë në Rrogozhinë, norvegjezët e kanë siguruar kualifikimin me rezultat të përgjithshëm 2-1.
Megjithatë, humbja nuk e mbyll aventurën evropiane të Egnatias. Skuadra nga Rrogozhina e kishte siguruar paraprakisht pjesëmarrjen në fazën e ligës së Conference League, pasi kishte arritur deri në "play-off" të Europa League.
Ndërkohë, Dinamo City nuk ka arritur ta vazhdojë garën evropiane.
Skuadra kryeqytetase u mposht 4-2 nga Pafos në Qipro, në ndeshjen e kthimit të "play-off" të Conference League. Pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë në Shqipëri, Pafos ka triumfuar me rezultat të përgjithshëm 5-3 dhe e ka siguruar kualifikimin.























