SHBA shqyrton praninë ushtarake në Evropë
BKT
Rajoni dhe Bota

SHBA shqyrton praninë ushtarake në Evropë

V.Th / RTKLive

SHBA-ja po shqyrton praninë e saj ushtarake në Evropë, ndërsa aleatëve të NATO-s u ka kërkuar përgjigje me shkrim për kontributin e tyre në mbrojtjen e kontinentit.

Nënsekretari amerikan i Mbrojtjes për Politikë, Elbridge Colby, u takua të enjten në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, si dhe mori pjesë në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut me ambasadorët e vendeve anëtare. NATO konfirmoi se Colby i informoi aleatët për rishikimin në vazhdim të pranisë së forcave amerikane në Evropë.

Colby tha se Uashingtoni kërkon nga aleatët kontributin e tyre “drejtpërdrejt me shkrim”, përmes një pyetësori të dërguar së fundmi nga SHBA-ja.

Rishikimi i pranisë ushtarake amerikane në Evropë u nis në qershor dhe mund të çojë në ndryshime të dislokimit të trupave amerikane. Aktualisht, rreth 80 mijë trupa amerikane janë të dislokuara në Evropë.

Sipas konceptit të quajtur “NATO 3.0”, të promovuar nga Colby, aleatët evropianë duhet të marrin përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen konvencionale të Evropës, ndërsa SHBA-ja do të vazhdojë të luajë rol kyç, përfshirë përmes parandalimit bërthamor dhe aftësive të caktuara konvencionale.

Megjithatë, Colby nuk ka dhënë detaje se sa trupa apo baza amerikane mund të preken nga rishikimi. Sipas Reuters, Pentagoni pritet t’i paraqesë sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, disa opsione për praninë ushtarake amerikane në Evropë deri në nëntor.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota