Rrezik nga përmbytje të tjera në Nepal
BKT
Rajoni dhe Bota

Rrezik nga përmbytje të tjera në Nepal

Bardhyl Bajrami / RTK

Bilanci i përmbytjeve katastrofike në zonën kufitare mes Nepalit dhe Kinës vazhdon të rritet.

Në Nepal janë konfirmuar të paktën 469 viktima, ndërsa më shumë se 1,300 persona rezultojnë të zhdukur, mes tyre dhjetëra shtetas amerikanë dhe të huaj.

Në anën kineze të kufirit, autoritetet raportojnë tre të vdekur dhe 558 të zhdukur. Nuk është e qartë nëse këto shifra përfshihen apo jo në bilancin e përgjithshëm të të zhdukurve. Vetëm në Nepal, autoritetet amerikane kanë thënë se 90 shtetas amerikanë ende nuk janë gjetur, ndërsa tre të tjerë janë shpëtuar.

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë pezulluar për shkak të rrezikut të një tjetër fatkeqësie. Një liqen i krijuar nga grumbullimi i ujit dhe dheut pas përmbytjeve ka çarë barrierat dhe ka nisur të derdhet, duke rritur rrezikun për përmbytje dhe rrëshqitje të reja të dheut.

Përpara se të mësohej se liqeni kishte çarë barrierat, presidenti kinez Xi Jinping u kishte bërë thirrje autoriteteve që t'i kushtonin vëmendje të veçantë stabilitetit të liqenit dhe maleve përreth, duke kërkuar masa për të parandaluar “katastrofat dytësore”.

Terreni malor, lartësia e madhe, moti i paqëndrueshëm dhe prania e akullnajave e bëjnë operacionin jashtëzakonisht të vështirë. Autoritetet paralajmërojnë gjithashtu për reshje të tjera, që mund të komplikojnë edhe më shumë situatën.

Megjithatë, ekipet e shpëtimit kanë arritur edhe rezultate të rëndësishme. Ushtria nepaleze ka shpëtuar dy persona të gjallë nga një tunel i një hidrocentrali, ndërsa autoritetet kanë publikuar një listë me 114 shtetas të huaj të shpëtuar, mes tyre qytetarë të SHBA-së, Italisë, Kinës, Indisë dhe Koresë së Jugut.

Në zonat e goditura vazhdon kërkimi për dhjetëra punonjës të hidrocentraleve. Vetëm në një projekt në ndërtim në Nepal janë raportuar të zhdukur 60 punonjës, ndërsa në një tjetër incident janë raportuar të zhdukur edhe nëntë punonjës të kompanive energjetike nga Koreja e Jugut.

Për familjet, pasojat mbeten tragjike. Në kryeqytetin Kathmandu, familjarët po kërkojnë informacion për të afërmit e tyre përmes listave dhe fotografive të vendosura në morg, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të përballen me terren të shkatërruar, rrugë të bllokuara dhe rrezikun e përmbytjeve të reja.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota