Mbi 600 të vdekur dhe 2426 të zhdukur nga përmbytjet në Nepal
BKT
Rajoni dhe Bota

Mbi 600 të vdekur dhe 2426 të zhdukur nga përmbytjet në Nepal

Bardhyl Bajrami /RTK

Më shumë se 600 persona kanë humbur jetën, ndërsa të paktën 2,426 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas përmbytjeve të menjëhershme që goditën të mërkurën rajonin kufitar mes Nepalit dhe Tibetit.

Ministri i Jashtëm i Nepalit, Shisir Khanal, tha se vendi është në ‘gatishmëri të lartë’ për rrezikun e përmbytjeve të reja, ndërsa zonat më të goditura janë kthyer në terrene moçalore dhe në disa prej tyre mund të arrihet vetëm me helikopter.

Operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë, pavarësisht reshjeve që po vështirësojnë qasjen në zonat e prekura. Sipas autoriteteve, deri tani janë shpëtuar 4,451 persona, përfshirë 187 shtetas të huaj. Bordi i Turizmit të Nepalit thotë se 420 turistë ende nuk janë lokalizuar, ndërsa mes të shpëtuarve janë 114 shtetas indianë, 27 kinezë, 20 koreano-jugorë dhe shtetas nga disa vende të tjera.

Autoritetet paralajmërojnë edhe për mundësinë e përmbytjeve dytësore. Pranë kufirit Nepal-Tibet është formuar një liqen nga uji i përmbytjeve dhe mbeturinat, dhe ekziston frika se ai mund të çajë brigjet. Ushtria ka dërguar automjete dhe helikopterë në zonat e prekura, ndërsa rrugët dhe urat e shkatërruara kanë izoluar mijëra banorë.

Përmasat e dëmeve janë të mëdha. Ministri i Financave i Nepalit, Swarnim Wagle, ka vlerësuar paraprakisht se vendit mund t?i nevojiten 4 deri në 5 miliardë dollarë për rindërtim. Përmbytjet kanë shkatërruar shtëpi, biznese, rrugë dhe ura, ndërsa banorët e zonave të prekura po përpiqen të kthehen për të nxjerrë nga rrënojat sendet e mbetura.

Në rajon vazhdon edhe një operacion i gjerë humanitar, me kamionë që transportojnë ndihma dhe pajisje drejt komuniteteve të prekura. Autoritetet kanë kërkuar nga qytetarët që t'u referohen vetëm informacioneve zyrtare dhe të verifikuara, ndërsa ekipet nepaleze po bashkëpunojnë edhe me familjet për identifikimin e personave të zhdukur dhe me diplomatët për komunikimin me familjet e shtetasve të huaj.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota