Atalanta fiton në fund ndaj Bolognës, ndërsa Roma vazhdon serinë pozitive
Uran Krasniqi / RTKLive
Atalanta ka regjistruar fitore minimale 1-0 ndaj Bolognës, ndërsa Roma ka vazhduar formën e se mirë në Serie A duke mposhtur thellë 4-0 Leccen në transfertë.
Në ndeshjen e zhvilluar në Bergamo, Atalanta e ka mposhtur Bolognën me rezultat 1-0.
Pjesa e parë është mbyllur pa gola, ndërsa momenti vendimtar ka ardhur në pjesën e dytë.
Golin e vetëm të takimit e ka shënuar Lazar Samardzic në minutën e nëntëdhjetë, pas asistimit të Nicola Zalewskit. Kështu Atalanta ka siguruar tri pikë të rëndësishme në një ndeshje të luftuar.
Ndërkohë, Roma ka dhënë një tjetër paraqitje bindëse, duke fituar 4-0 në udhëtim ndaj Lecces në stadiumin “Via del Mare”.
Roma e ka nisur ndeshjen shumë mirë dhe ka kaluar në epërsi vetëm pas katër minutash. Donyell Malen ka përfituar nga një gabim i Kialonda Gaspar dhe ka shënuar për 1-0.
Malen ka qenë sërish protagonist në minutën e njëzet e tretë, kur ka realizuar golin e dytë personal dhe të dytin për Romën. Sulmuesi holandez kishte shënuar hat-trick në ndeshjen e parë të sezonit ndaj Fiorentinës dhe tani ka katër gola në dy ndeshjet e para të kampionatit.
Vetëm dy minuta më vonë, Roma e ka thelluar epërsinë. Malen ka shërbyer për Matías Soule, i cili pas një goditje të parë të pritur nga portieri Wladimiro Falcone, ka realizuar në tentativën e dytë për 3-0.
Roma ka hyrë në pushim me epërsi të madhe, ndërsa në pjesën e dytë tempoja e lojës ka rënë. Lecce ka pasur mundësi të shënojë, por goditja me kokë e Lassana Coulibaly është ndalur në shtyllë, ndërsa Mario Hermoso e ka larguar topin nga vija e portës.
Roma megjithatë e ka gjetur edhe golin e katërt në fund të takimit. Mbrojtësi Gianluca Mancini është përfshirë në aksion dhe ka asistuar për transferimin e ri Rodrigo Mora, i cili ka realizuar golin e tij të parë me fanellën e Romës.
Me këtë fitore, Roma regjistroi fitoren e shtatë radhazi në Serie A, duke përfshirë edhe fundin e sezonit të kaluar. Skuadra e drejtuar nga Gian Piero Gasperini është ngjitur në krye të tabelës.























