Irani i gatshëm t’i rikthehet armëpushimit me SHBA-në
BKT
Rajoni dhe Bota

Irani i gatshëm t’i rikthehet armëpushimit me SHBA-në

G.K/RTKlive

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm t’i rikthehet marrëveshjes së armëpushimit të arritur me Shtetet e Bashkuara në qershor, nëse edhe Uashingtoni i rikthehet zotimeve të tij, raporton Euronews.

Duke folur në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Kirgistan, Pezeshkian tha se Irani do të veprojë menjëherë në mënyrë reciproke nëse SHBA-ja respekton zotimet e saj.

“Nëse SHBA-ja u rikthehet zotimeve të saj në memorandumin e mirëkuptimit, Republika Islamike e Iranit do të veprojë menjëherë në mënyrë reciproke”, tha Pezeshkian, sipas mediave shtetërore iraniane.

Marrëveshja e qershorit parashikonte një armëpushim të menjëhershëm dhe një periudhë 60-ditore bisedimesh për arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë paqeje.

Teherani kishte pranuar të pastronte ngushticën e Hormuzit nga minat dhe të lejonte kalimin e anijeve, ndërsa Uashingtoni kishte pranuar t’i jepte fund bllokadës detare, të hiqte sanksionet, të lejonte eksportet iraniane të naftës dhe të niste punën për një paketë rindërtimi për Iranin.

Marrëveshja u prish shpejt, ndërsa gjatë fundjavës Irani dhe SHBA-ja shkëmbyen sërish zjarr.

Garda Revolucionare e Iranit po kërkon lëshime më të mëdha nga SHBA-ja, përfshirë kontrollin iranian mbi ngushticën e Hormuzit dhe kompensim financiar për luftën.

Edhe ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka deklaruar se SHBA-ja duhet t’i respektojë zotimet e saj dhe marrëveshjen kornizë.

Pezeshkian tha gjithashtu se Teherani nuk kërkon luftë, por se Irani “nuk do të qëndrojë kurrë i heshtur” përballë agresionit dhe do t’u japë “një përgjigje të vendosur agresorëve”. / Burimi: Euro News


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota