Policia e Kosovës shënon 27-vjetorin me gara të volejbollit në Ferizaj
G.K/RTKlive
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 27-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, të enjten në Ferizaj janë zhvilluar gara në volejboll, të cilat u hapën nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha.
Pas garave në shah, të mbajtura më 1 shtator në Mitrovicë, dhe atyre në qitje me armë zjarri më 2 shtator, aktivitetet e së enjtes iu kushtuan volejbollit, duke mbledhur ekipe nga Drejtoria e Përgjithshme, rajonet dhe njësitë e ndryshme policore.
Në gara mori pjesë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, i cili vlerësoi angazhimin dhe disiplinën sportive të organizatorëve dhe ekipeve.
Sipas Policisë, Hoxha theksoi se aktivitete të tilla forcojnë bashkëpunimin dhe kolegialitetin brenda strukturave policore.
Garat u karakterizuan nga rivalitet i shëndetshëm dhe lojëra dinamike.
Në fund, drejtori i Përgjithshëm ndau kupa dhe medalje për ekipet fituese, si dhe mirënjohje për organizatorët dhe akterët e tjerë që ndihmuan në realizimin e aktiviteteve.
Aktivitetet e Policisë së Kosovës do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, deri më 6 shtator, kur do të mbahet dita solemne.























