Serbia i jep lamtumirën Mlladiqit, të dënuarit për gjenocid
Anamari Repiq, RTK/Beograd
Mijëra qytetarë, veteranë dhe zyrtarë morën pjesë në Beograd në varrimin e Ratko Mladiqit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, të dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Ai u varros me nderime ushtarake, ndërsa shumë prej të pranishmëve e quanin “hero”. Autoritetet serbe thonë se shteti nuk ishte organizator, por përfshirja e institucioneve shtetërore dhe prania e ministrave kanë nxitur reagime të forta në Serbi dhe në Bashkimin Evropian.
Flamuj të Serbisë dhe Republikës Srpska, bluza me portretin e Ratko Mladiqit, simbole të luftës, veteranë, zyrtarë dhe mijëra qytetarë. Kështu dukej në Beograd lamtumira e fundit për ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Srpska, të dënuar për gjenocid.
Shumë prej pjesëmarrësve kishin ardhur në mënyrë të organizuar nga Republika Srpska, njëri prej dy entiteteve të Bosnjë e Hercegovinës, si dhe nga qytete të ndryshme të Serbisë. Në turmë shiheshin fotografi të Mladiqit, shenja dhe simbole ushtarake, ndërsa shumë prej të pranishmëve vazhdonin ta quanin “hero”, “gjeneral” dhe “trim serb”.
Mladiq u varros në varrezat e Topçiderit me nderime ushtarake. Toga e nderit qëlloi tri herë, ndërsa në kortezh, krahas familjarëve, ishin edhe ish-bashkëpunëtorë të tij dhe ish-pjesëtarë të Ushtrisë së Republikës Srpska.
Porfirije foli për mirënjohje, jo për gjenocidin
Ceremonia fetare u mbajt në Kishën e Shën Lukës, në lagjen Vidikovac të Beogradit, dhe u drejtua nga patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
Në kishë ishin edhe ministrat e Qeverisë së Serbisë, Bratislav Gashiq, Nenad Vujiq, Nenad Popoviq dhe Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, si dhe politikanë nga Republika Srpska, ish-presidenti i këtij entiteti, Milorad Dodik, anëtarja e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq, dhe kryetari i Banjallukës, Drashko Stanivukoviq. I pranishëm ishte edhe ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko.
Patriarku Porfirije e përshkroi Mladiqin si ushtar dhe komandant, i cili, siç tha, në një kohë të rëndë dhe tragjike ishte në krye të ushtrisë së popullit të tij. Ai tha gjithashtu se emri i Mladiqit do të mbetet në kujtesën dhe lutjet e një pjese të madhe të popullit ortodoks serb, i cili, sipas tij, ndien mirënjohje të thellë ndaj tij.
Por, në fjalimin e patriarkut nuk u përmend përgjegjësia e Mladiqit, e vërtetuar me vendim të formës së prerë, për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera të luftës.
As për shumë prej qytetarëve që erdhën për t’i dhënë lamtumirën, vendimet e gjykatës ndërkombëtare nuk e kanë ndryshuar perceptimin për të.
“Për mua ai ishte gjithçka, hero”, tha një nga të pranishmit.
“Ai ishte gjeneral, hero, trim serb. Kam qenë ushtar i tij”, tha një tjetër.
Nga Haga deri te varrimi – sa ishte i përfshirë shteti?
Ratko Mladiq vdiq në Hagë duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Por mënyra se si u organizua kthimi i trupit dhe varrimi i tij hapi një debat të ri për rolin e shtetit serb.
Autoritetet në Beograd insistuan se shteti nuk ishte organizator i varrimit. Megjithatë, aeroplani i Qeverisë së Serbisë u përdor për kthimin e trupit nga Haga, ndërsa ministri i Drejtësisë, Nenad Vujiq, ishte pjesë e delegacionit që e mori atë.
Pas mbërritjes në Beograd, arkivoli i mbuluar me flamurin e Serbisë u bart nga pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë, ndërsa automjeti që transportonte trupin u shoqërua nga policia. Ceremonia përkujtimore u mbajt më pas në Shtëpinë e Ushtrisë së Serbisë.
Përfshirja e institucioneve vazhdoi edhe ditën e varrimit, kur në ceremoninë fetare dhe në lamtumirën e fundit morën pjesë disa ministra të Qeverisë së Serbisë, zyrtarë të Republikës Srpska dhe ambasadori rus në Beograd.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk mori pjesë në varrim. Ai kishte paralajmëruar më herët vizitën në Beograd të presidentit të Uzbekistanit.
Vuçiq i hodhi poshtë kritikat se shteti kishte mundësuar glorifikimin e Mladiqit. Ai e përshkroi atë që ndodhi pas vdekjes së Mladiqit si një “shpërthim emocionesh” dhe tha se kjo nuk varej nga fakti nëse ai kishte lejuar ose jo diçka.
Presidenti serb akuzoi gjithashtu Perëndimin për qëndrim të njëanshëm ndaj Serbisë dhe serbëve, duke thënë se ata prej dekadash paraqiten si fajtorë, pavarësisht nga ajo që ndodh.
Nderimet për Mladiqin edhe jashtë varrimit
Nderimet për Mladiqin nuk mbetën vetëm në hapësirën e varrimit. Seanca e Kuvendit të qytetit të Novi Sadit filloi me nderime për Ratko Mladiqin, ndërsa këshilltarët e një pjese të opozitës u larguan nga salla në shenjë proteste. Ndarje të ngjashme u panë edhe në skenën politike të Serbisë.
Disa përfaqësues të pushtetit dhe të partive të orientuara djathtas morën pjesë në lamtumirën për Mladiqin. Partia opozitare Demokracia e Re Serbe publikoi fotografi të kryetarit dhe anëtarëve të saj duke i bërë nderime Mladiqit në Kishën e Shën Lukës në Beograd, me mesazhin: “Lamtumira e fundit, gjeneral”.
Në anën tjetër, opozita proevropiane dhe organizatat e shoqërisë civile reaguan ndaj nderimeve shtetërore, ushtarake dhe kishtare për Mladiqin.
Deputeti i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, Vladimir Pajiq, e cilësoi si “turp të madh” dhënien e nderimeve shtetërore dhe kishtare personave të dënuar për krime lufte.
“Mlladiqi, kur po arrestohej, fshihej pas derës, Vuçiqi fshihet pas presidentit të Uzbekistanit. Gjithmonë kanë qenë të njëjtë: frikacakë, gënjeshtarë dhe njerëz të padenjë për çfarëdo respekti”, shkroi Pajiq në platformën X.
Zëdhënësi i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës, Aleksandar Marton, vlerësoi se nderimet shtetërore dhe ato të patriarkut për një person të dënuar për gjenocid ndaj boshnjakëve përfaqësojnë, sipas tij, “vazhdim të politikës së krimit dhe urrejtjes ndaj boshnjakëve”.
Shoqëria civile: Nderime të papranueshme për një të dënuar për gjenocid
Reagime të forta erdhën edhe nga organizatat e shoqërisë civile në Serbi, të cilat paralajmëruan se mënyra e organizimit të lamtumirës për Mladiqin përbën glorifikim të një personi të dënuar me vendim të formës së prerë për gjenocid dhe krime të tjera të luftës.
Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut vlerësoi se, edhe nëse varrimi formalisht ishte privat dhe organizohej nga familja, përfshirja e institucioneve, ushtrisë dhe përfaqësuesve shtetërorë në praktikë i dha atij karakterin e nderimeve shtetërore.
Organizata ngriti edhe çështjen nëse nderimet ushtarake ishin në përputhje me ligjin, duke rikujtuar se, sipas interpretimit të saj të dispozitave ligjore, dënimi i Mladiqit kishte pasoja edhe për gradën e tij ushtarake dhe të drejtën për nderime të tilla.
Komiteti i Helsinkit: “Skenar i shtetit, ushtrisë dhe kishës”
Një nga vlerësimet më të ashpra në Serbi erdhi nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.
Komiteti e cilësoi varrimin jo vetëm si shprehje spontane të mbështetjes, por si një “skenar të përgatitur dhe të sinkronizuar të shtetit, ushtrisë dhe kishës”, në funksion të glorifikimit të një krimineli lufte.
Sipas Komitetit, numri i madh i pjesëmarrësve, nderimet ushtarake, përfshirja e institucioneve dhe ardhja e organizuar e veteranëve nga Republika Srpska tregojnë se ngjarja e tejkaloi karakterin e një ceremonie private.
Për Komitetin e Helsinkit, ajo që u pa në Beograd tregon se raporti ndaj Ratko Mladiqit dhe trashëgimisë së luftërave të viteve ’90 në Serbi, në thelb, nuk ka ndryshuar.
Varrimi i Mladiqit, kështu, nuk mbeti vetëm çështje e lamtumirës për një ish-komandant ushtarak. Ai u shndërrua edhe në një debat për raportin e Serbisë ndaj vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, viktimave të krimeve të luftës dhe mënyrës se si shteti përballet me trashëgiminë e luftërave të viteve ’90.























