BE investon 200 milionë euro në Grenlandë mes presionit të Trumpit
G.K/RTKlive
Bashkimi Evropian do të investojë 200 milionë euro shtesë në Grenlandë gjatë dy viteve të ardhshme, për të thelluar lidhjet ekonomike dhe për nxjerrjen e lëndëve të para, njoftoi të hënën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë një vizite zyrtare në ishullin Arktik.
“Ne e dimë se Arktiku është bërë një nga vendet ku përplasen pllakat tektonike të gjeopolitikës, prandaj kemi një interes të drejtpërdrejtë në atë që ndodh këtu”, tha von der Leyen në Nuuk, raporton Euronews.
Paketa financiare synon të zgjerojë praninë e BE-së në territorin gjysmëautonom, i cili prej kohësh është në vëmendjen e presidentit amerikan Donald Trump.
Trump ka bërë presion për marrjen e Grenlandës nga Mbretëria e Danimarkës. Tensionet arritën kulmin në janar, kur ai kërcënoi me tarifa të larta për t’i bërë presion Danimarkës që të hiqte dorë nga territori. Në korrik, Trump riktheu ambicien për aneksimin e ishullit, ndërsa të hënën publikoi një hartë të botës ku Grenlanda paraqitej nën kontrollin amerikan.
Von der Leyen, gjatë vizitës në Nuuk, theksoi mbështetjen evropiane për Grenlandën, duke folur për “presion të jashtëzakonshëm”, por pa e përmendur Trumpin me emër.
“Bashkimi Evropian qëndron në solidaritet të plotë me Mbretërinë e Danimarkës dhe popullin e Grenlandës. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Dhe duam të jemi shumë të qartë dhe ta përsërisim këtu se e ardhmja e Grenlandës është çështje që duhet të vendoset nga populli i Grenlandës dhe Danimarka. Askush tjetër”, tha ajo.
“Integriteti territorial, sovraniteti, paprekshmëria e kufijve. Këto janë parime themelore të së drejtës ndërkombëtare”, shtoi von der Leyen.
Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha se Grenlanda dhe BE-ja kanë nevojë për njëra-tjetrën.
“Grenlanda ka nevojë për Bashkimin Evropian dhe Bashkimi Evropian ka nevojë për Grenlandën. Besoj fuqishëm se kjo është e vërtetë. Ne kemi nevojë për njëri-tjetrin”, tha Nielsen.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, falënderoi von der Leyen për mbështetjen dhe tha se Danimarka është e hapur për bashkëpunim më të ngushtë me SHBA-në dhe Evropën për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në Arktik.
Paketa prej 200 milionë eurosh do të përqendrohet në tri fusha kryesore: lidhjen digjitale, përfshirë kabllot nënujore dhe infrastrukturën satelitore, energjinë e pastër, me fokus të veçantë në hidroenergji, si dhe nxjerrjen e qëndrueshme të lëndëve të para kritike.
Grenlanda ka 25 nga 34 mineralet që Brukseli i konsideron thelbësore për zhvillimin e sistemeve të energjisë së rinovueshme dhe teknologjisë së avancuar.
Komisioni Evropian po punon gjithashtu për përditësimin e strategjisë së tij për Arktikun dhe ka paraparë 530 milionë euro posaçërisht për Grenlandën në propozimin për buxhetin e ardhshëm të BE-së. / Burimi: Euro News























