Gjermani: AfD fiton bindshëm zgjedhjet në Saksoni-Anhalt, synon të marrë pushtet
G.K/RTKlive
Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka shënuar fitore bindëse në zgjedhjet e së dielës në landin gjerman të Saksonisë-Anhalt, duke fituar 43.8 për qind të votave.
Sipas Associated Press, rezultati i AfD-së është më shumë se dyfishi i atij që partia kishte marrë pesë vjet më parë në këtë land, ndërsa partia e kancelarit Friedrich Merz humbi rreth gjysmën e mbështetjes së saj.
Kandidati i AfD-së për kreun e qeverisë së landit, Ulrich Siegmund, synon të bëhet udhëheqësi i parë i ekstremit të djathtë i një qeverie të një landi dhe ka thënë se do t’u drejtohet partive të tjera dhe deputetëve individualë për të krijuar një shumicë qeverisëse.
Sipas AP-së, AfD-ja mund të qeverisë me partinë BSW, e cila mori 5.3 për qind të votave. Dy partitë kanë qëndrim miqësor ndaj Rusisë dhe kundërshtojnë emigracionin, por nuk pajtohen për disa çështje të tjera.
Të hënën, kandidati kryesor i BSW-së, Thomas Schulze, shprehu gatishmërinë e partisë së tij për ta ndihmuar një kandidat të AfD-së të marrë postin e kreut të qeverisë së landit.
Formimi i një qeverie pa AfD-në do të ishte i mundur vetëm nëse do të bashkëpunonin CDU-ja, Socialdemokratët, të Gjelbrit, Partia e Majtë dhe BSW-ja. Sipas AP-së, AfD-së do t’i duheshin vetëm tre deputetë nga partitë e tjera për të siguruar shumicën për të qeverisur.























