Tensione mes Britanisë dhe Izraelit
BKT
Rajoni dhe Bota

Tensione mes Britanisë dhe Izraelit

Luan Qorraj / RTK

Londra dhe Tel Avivi janë në krizën më të madhe diplomatike me dekada. Pasi që Britania vendosi të ndalon importet nga territoret e okupuara- Izraeli njoftoi se do të mbyllë përfaqësinë britanike në Jerusalem dhe se ka ndaluar hyrjen për një numër të diplomatëve britanik.

Britania e madhe dhe Izraeli, të cilët deri me tani shiheshin si aleat të afërt me njëri tjetrin, janë gjetur në krizë diplomatike e cila do të mund të vazhdon të përkeqësohet. Ministri i jashtëm Britanik Ed Milliband njoftoi se Londra ka ndaluar të gjitha importet e produkteve nga kolonitë izraelite në Bregun Perëndimor dhe paralajmëroi sanksione të tjera ndaj Tel Avivit dhe atyre që, sipas tij, vazhdojnë të përkrahin okupimin ilegal të Bregut Perëndimor , Miliband gjithashtu akuzoi kolonët izraelit në Bregun Perëndimor për "terrorizëm kolonist" dhe qeverinë në Tel Aviv që qëllimisht i injoron krimet e tyre.

Megjithatë ministri i jashtëm britanik ceku se të sanksionet kanë për cak kolonitë ilegale dhe zgjerimin e tyre në Bregun Perëndimor,jo vet Izraelin.

 Si reagim ndaj masave Britanike, Tel Avivi zyrtar bëri të ditur se ka urdhëruar mbylljen e konsullatës britanike në Jerusalem dhe se ka ndaluar 12 diplomat Britanik nga hyrja në Izrael në të ardhmen, dhe ka shtuar se Britania e Madhe më nuk do të jetë pjesë e trajnimit të forcave të autoritetit palestinez në Bregun Perëndimor dhe se britanikëve do tu ndalohet pjesëmarrja në qendrën ndërkombëtare të përkrahjes për rripin e gazës. Zyrtarët Izraelit paralajmëruan masa edhe ndaj vendeve tjera që do të mund të ndërmarrin lëvizje të ngjashme me Britaninë.

 Vendimi i Londrës nuk është rast i izoluar, vende të ndryshme, përfshirë Kanadanë, Francën dhe Spanjën kanë thënë se do të vendosin sanksione mbi mallrat nga Bregu Perëndimor dhe, edhe një herë thanë se tërësisht e përkrahin zgjidhjen dy-shtetërore për çështjen e Palestinës.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota