Franca tërheq mbështetjen për Infantino në zgjedhjet për president të FIFA-s
BKT
Sport

Franca tërheq mbështetjen për Infantino në zgjedhjet për president të FIFA-s

Uran Krasniqi / RTKLive

Federata Franceze e Futbollit ka vendosur të mos e mbështesë kandidaturën e Gianni Infantino për një mandat të ri në krye të FIFA-s.

Vendimi është marrë unanimisht nga anëtarët e FFF-së dhe e afron Francën me disa federata të tjera evropiane që tashmë kanë deklaruar tërheqjen e mbështetjes për Infantino, përfshirë Belgjikën, Italinë, Skocinë, Suedinë, Holandën dhe Uellsin.

Presidenti i FFF-së, Philippe Diallo, ka thënë se besimi i vendosur te presidenti i FIFA-s është tradhtuar dhe se mënyra se si po mendohet qeverisja e futbollit botëror nuk përputhet më me qëndrimin e federatës franceze.

“Për këtë arsye, Federata Franceze e Futbollit ka vendosur unanimisht të tërheqë mbështetjen për kandidaturën e Gianni Infantino për presidencën e FIFA-s”, ka deklaruar Diallo.

Infantino është në garë për një mandat të ri dhe aktualisht është kandidati i vetëm i konfirmuar. Kundërshtimet ndaj pesëdhjetë e gjashtë vjeçarit janë shtuar pas debatit për planin tashmë të braktisur “FIFA Forward Enterprise”, që parashihte përfshirjen e investimeve private në Kupat e Botës për meshkuj dhe femra.

Federatat UEFA, AFC dhe CONCACAF pritet të shqyrtojnë kandidatura rivale para afatit të nëntorit. Kandidatët duhet të kenë mbështetjen e së paku pesë federatave anëtare.

Zgjedhjet pritet të mbahen në Kongresin e 77-të të FIFA-s, në prill 2027, në Rabat të Marokut.