Trump nuk pendohet për luftën me Iranin
Sh.Ç/RTKlive
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se nuk ka asnjë keqardhje për vendimin për të hyrë në luftë me Iranin, edhe pse konflikti mund të ndikojë në zgjedhjet e mesit të mandatit që do të mbahen në nëntor.
Në një intervistë për Fox News, Trump u pyet nëse do të kishte vepruar ndryshe duke marrë parasysh pasojat e mundshme politike.
“Nuk besoj te fjala 'keqardhje'. Gjithmonë mund ta rishqyrtosh pak”, tha ai.
Megjithatë, presidenti amerikan e bëri të qartë se nuk do ta ndryshonte vendimin e tij.
“Nëse do të më duhej ta bëja përsëri, do ta bëja saktësisht të njëjtën gjë”, deklaroi Trump.
Ai gjithashtu hodhi poshtë pretendimet se lufta ka shkaktuar pakënaqësi apo demoralizim mes mbështetësve të tij. Sipas Trump, përkrahësit e tij janë krenarë për qëndrimin ndaj programit bërthamor të Iranit.
“Nuk mendoj se janë të demoralizuar. Mendoj se janë shumë krenarë për faktin që unë nuk po e lejoj Iranin të ketë armë bërthamore”, tha presidenti.
Trump përsëriti edhe pretendimin se konflikti do të përfundojë menjëherë pas zgjedhjeve të mesit të mandatit, të planifikuara për fillim të nëntorit.
“Përfundon menjëherë pas zgjedhjeve”, tha ai.
Deklaratat vijnë në një kohë kur çmimet e naftës dhe gazit janë kthyer në një çështje të rëndësishme politike për republikanët. Konflikti ka ngritur shqetësime për furnizimin global me energji, veçanërisht për shkak të rrezikut ndaj trafikut përmes Ngushticës së Hormuzit.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit më 28 shkurt, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit dhe objektivave në shtetet e Gjirit ku ndodhen baza amerikane.
Trump ka pretenduar gjithashtu se Irani po përpiqet të ndikojë në zgjedhjet e nëntorit, të cilat do të përcaktojnë nëse republikanët do të ruajnë kontrollin mbi Kongresin.























