Përshkallëzohen sulmet, Rusia dhe Ukraina raportojnë goditje me dronë
Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës vijojnë të mbeten të larta, me sulme të reja me dronë dhe deklarata të forta nga udhëheqësit e të dy vendeve.
Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se gjatë natës sistemet e mbrojtjes ajrore kanë interceptuar dhe shkatërruar 230 dronë ukrainas mbi disa rajone të Rusisë, si dhe mbi Detin Azov dhe Detin e Zi.
Ndërkohë, autoritetet ukrainase raportuan sulme ruse me raketa dhe dronë në disa qytete, përfshirë Odesën, Krivi Rihun, Dnieprin dhe Zaporizhian. Sipas tyre, sulmet shkaktuan viktima dhe të plagosur, ndërsa disa ndërtesa banimi dhe objekte industriale u dëmtuan.
Në rajonin rus të Belgorodit, autoritetet lokale raportuan gjithashtu tre persona të plagosur nga sulmet me dronë.
Në planin politik, presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se vendosja e trupave evropiane në territorin ukrainas do të nënkuptonte, sipas tij, luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Putinin se synon kontrollin e plotë të Ukrainës, ndërsa u shpreh i gatshëm për negociata të drejtpërdrejta me presidentin rus nëse ato mund të kontribuojnë në arritjen e paqes.























