Konakoviq alarmon Perëndimin, kërkon sanksione për glorifikimin e Mladiqit
BKT
Rajoni dhe Bota

Konakoviq alarmon Perëndimin, kërkon sanksione për glorifikimin e Mladiqit

RTKlive

Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjës dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, ka dërguar një apel urgjent liderëve të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Mbretërisë së Bashkuar, vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, si dhe të gjithë atyre që mbrojnë të drejtën ndërkombëtare, paqen, vlerat evropiane dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Apeli vjen si reagim ndaj nderimeve shtetërore dhe ushtarake që iu bënë ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Në adresimin e tij, Konakoviq thekson se “policia dhe formacionet ushtarake siguruan eskortën dhe praninë ceremoniale. Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Serbisë dhe deputetë të Kuvendit të Serbisë morën pjesë në komemoracion dhe varrim. U dislokuan pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë, ndërsa Mladiqi u përcoll me nderime ushtarake, përfshirë rojën e nderit dhe goditjen ceremoniale të nderit. Ky nuk ishte një tubim spontan i individëve që i bënin nder një krimineli të dënuar. Ishte një akt institucional i shtetit të Serbisë".

Ai e vendos përgjegjësinë drejtpërdrejt te presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, duke rikujtuar se, sipas Ligjit për Ushtrinë e Serbisë (neni 17), presidenti vendos për përdorimin e ushtrisë dhe e komandon atë si në kohë paqeje, ashtu edhe në kohë lufte.

“Ushtria e Serbisë nuk mund të vendoste thjesht vetë të merrte pjesë në një ngjarje të tillë. Përdorimi i forcave të armatosura është në kompetencë të presidentit të Serbisë. Serbia ka miratuar Ligjin për bashkëpunim me Tribunalin Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë. Sipas atij ligji, ajo është e detyruar të respektojë dhe zbatojë vendimet e Tribunalit. Ratko Mladiqi nuk ishte thjesht i akuzuar – ai u dënua përfundimisht me burgim të përjetshëm për gjenocid në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Serbia nuk mund të marrë përsipër me ligj detyrimin për të respektuar vendimet e Tribunalit të Hagës dhe, njëkohësisht, të dislokojë institucione shtetërore dhe forca të armatosura për t’i bërë nder dhe për ta glorifikuar njeriun që ai Tribunal e dënoi për gjenocid”, thekson ai.

Konakoviq paralajmëron se ky veprim nuk është thjesht çështje e së kaluarës, por kërcënim i drejtpërdrejtë për stabilitetin e rajonit.

“Kur forcat e armatosura të Serbisë përdoren për ta përcjellë dhe për t’i bërë nder Ratko Mladiqit, kur ushtarët radhiten për varrimin e tij dhe kur gjuhet plotoni ceremonial i nderit në nder të një njeriu të dënuar për gjenocid – kjo nuk është më një akt privat kujtimi, por një akt i shtetit. Dhe çdo goditje e atij plotoni ishte një goditje në marrëdhëniet mes Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Serbisë. Goditje në vlerat evropiane. Goditje në parimet e drejtësisë ndërkombëtare të vendosura pas tmerrit të viteve ’90. Goditje në dinjitetin e viktimave dhe të mbijetuarve të gjenocidit dhe krimeve të luftës. Dhe goditje në paqen dhe stabilitetin e të gjithë rajonit", tha ai.

Ai kujton se Bosnja dhe Hercegovina e di shumë mirë se ku çojnë glorifikimi i kriminelëve të luftës, nacionalizmi agresiv dhe heshtja e komunitetit ndërkombëtar.

Në mbyllje, Konakoviq bën thirrje të qartë:
“Koha vetëm për fjalë ka kaluar. Kjo është koha për masa konkrete. Bëjeni këtë sepse komuniteti ndërkombëtar reagoi shumë vonë gjatë agresionit ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, kur hezitimi dhe mosveprimi erdhën me një çmim njerëzor të padurueshëm. Bëjeni për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, të cilët dinë më mirë se kushdo se ku mund të çojë glorifikimi i kriminelëve të luftës. Bëjeni edhe për ata në Serbi që kanë hedhur poshtë me guxim këtë trashëgimi. Historia na ka mësuar tashmë se çfarë ndodh kur bota sheh shenjat e paralajmërimit, por vendos të presë. Nuk mund t’ia lejojmë vetes ta mësojmë atë mësim dy herë.Veproni tani. Para se të jetë tepër vonë”.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota