Sulm rus ndaj trenit Kiev–Varshavë pranë kufirit me Poloninë
B.H./RTKlive
Një dron rus ka goditur të dielën një tren pranë kufirit të Ukrainës me Poloninë, pak minuta pasi nga e njëjta zonë kishte kaluar një tren diplomatik me zyrtarë të lartë evropianë në bord.
Sipas operatorit shtetëror ukrainas të hekurudhave, “Ukrzaliznytsia”, treni diplomatik, në të cilin udhëtonin ish-kryeministri britanik Boris Johnson, ish-kryeministri suedez Carl Bildt dhe këshilltarë të sigurisë nga disa vende të Bashkimit Evropian, ishte nisur nga stacioni i Yahodyn më herët se sa ishte planifikuar.
Delegacioni po kthehej nga një konferencë për sigurinë në Kiev.
“Ukrzaliznytsia” ka thënë se ekziston mundësia e madhe që treni diplomatik të ketë qenë objektivi i synuar i dronit rus.
Bildt ka publikuar një video në rrjetin social X, duke thënë se treni i goditur nuk ishte ai me të cilin udhëtonte delegacioni, por një tren që kishte kaluar vetëm pak minuta pas tyre pranë pikës kufitare Yahodyn-Dorohusk.
Sipas tij, pasagjerët e trenit të goditur u evakuuan para se droni ta godiste atë dhe nuk pati të lënduar.
Në stacionin e Yahodyn ndodhej edhe një tren tjetër, në të cilin udhëtonte ish-drejtori i CIA-s, David Petraeus, kur ndodhi sulmi.
Nuk ka pasur raportime të menjëhershme për viktima apo të lënduar në asnjërin prej trenave.
Ish-kryeministri britanik Boris Johnson e ka dënuar sulmin, duke e cilësuar atë si një tjetër shembull të sulmeve ruse ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë.
Operatori ukrainas i hekurudhave ka bërë të ditur se vazhdimisht i përshtat oraret e trenave për të zvogëluar rrezikun nga sulmet.
Më herët të dielën, një dron rus kishte goditur një kamion më pak se dy kilometra nga territori polak, sipas rojeve kufitare. Për shkak të incidentit, përkohësisht ishte mbyllur pika kufitare Yahodyn-Dorohusk.
Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se Rusia nuk e përjashton mundësinë e zhvillimit të bisedimeve trepalëshe për Ukrainën gjatë muajit tetor.
Sipas Moskës, presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi, janë shprehur të gatshëm të kontribuojnë në gjetjen e një zgjidhjeje për luftën Rusi-Ukrainë.
Në kuadër të përpjekjeve për dialog, Zelensky ka propozuar një takim kokë më kokë me presidentin rus, Vladimir Putin, në dhjetor, gjatë samitit të G20-s në Miami.
Nga Kremlini, ndërkaq, ka ardhur përgjigjja se, nëse Zelensky dëshiron takim “duhet të vijë në Moskë”.























