Inter fiton me përmbysje ndaj Udinese
Uran Krasniqi/RTKLive
Inter e ka ruajtur fillimin e mirë të sezonit në Serie A, pasi ka përmbysur një disavantazh prej dy golash dhe e ka mposhtur Udinese me rezultat 5:3 në “San Siro”.
Udinese e ka nisur shumë mirë ndeshjen dhe ka kaluar në epërsi pas një aksioni të bukur. Unai Gomez ka harkuar në zonë, ndërsa James Abankwah e ka dërguar topin me kokë në rrjetë për 1:0. Ky ka qenë goli i parë i tij me fanellën e Udineses.
Inter ka reaguar dhe ka qenë pranë barazimit, por portieri Maduka Okoye ka bërë një pritje të dyfishtë të shkëlqyer për ta ndalur Marcus Thuram.
Megjithatë, Udinese ka goditur sërish pas vetëm gjashtëmbëdhjetë minutash. Keinan Davis ka asistuar për Jurgen Ekkelenkampin, i cili nga afërsia e ka dërguar topin në rrjetë për 2:0.
Inter nuk është dorëzuar dhe e ka ngushtuar epërsinë pas minutës së njëzet e gjashtë. Carlos Augusto ka realizuar një gol të bukur me një goditje të fuqishme nga distanca.
Skuadra e Cristian Chivu ka vazhduar presionin dhe para pushimit e ka barazuar rezultatin. Nicolo Barella ka shënuar nga brenda zonës për 2:2.
Në pjesën e dytë, Inter e ka rritur presionin dhe ka kaluar për herë të parë në epërsi. Andy Diouf ka asistuar për Marcus Thuram, i cili e ka dërguar topin në këndin e poshtëm për 3:2.
Inter ka vazhduar dominimin dhe e ka shënuar edhe golin e katërt. Pio Esposito ka realizuar nga afërsia pas asistimit të Piotr Zielinski.
Pak më shumë se dhjetë minuta para fundit, Ange-Yoan Bonny ka shënuar edhe golin e pestë. Fillimisht goditja e tij është pritur nga Okoye, por sulmuesi i Interit e ka dërguar topin në rrjetë në tentimin e dytë.
Udinese ka arritur ta ngushtojë rezultatin në kohën shtesë përmes Idrissa Gueye, por goli ka shërbyer vetëm për ta zbutur humbjen.
Pas kësaj fitore, Interi është ngritur në vendin e dytë në tabelë, pas Romës, me të cilën do të përballet të shtunën në një ndeshje të rëndësishme të Serie A.
E Udinese ka mbetur në vendin e trembëdhjetë me katër pikë pas katër ndeshjeve.























