Mac Allister i pakënaqur me Liverpoolin, kjo është arsyeja
F.B/RTKLive
Alexis Mac Allister nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij me situatën kontraktuale te Liverpooli, pasi klubi anglez nuk i ka ofruar ende një marrëveshje të re.
Mesfushori argjentinas, i cili ka kontratë me “Reds” deri në qershor të vitit 2028, ka pranuar se lajmi se nuk është në planet për një rinovim të menjëhershëm e ka prekur.
“Siç e dinë të gjithë, mora lajmin se klubi nuk ishte në pozitë të më ofronte një kontratë të re dhe kjo më bën shumë, shumë të trishtuar”, ka deklaruar Mac Allister.
Argjentinasi ka theksuar se vazhdon të japë maksimumin për Liverpoolin, pavarësisht situatës së krijuar.
“Të gjithë mund ta shohin se jap 100 për qind për këtë klub, çdo ditë në stërvitje dhe në ndeshje. Sigurisht, mund të kem ndeshje shumë të mira apo shumë të këqija, si të gjithë të tjerët. Por gjithmonë jap më të mirën time”, ka shtuar ai.
Mac Allister ka treguar gjithashtu se rinovimet e kontratave të Dominik Szoboszlait dhe Ryan Gravenberchit e kanë gëzuar, por në të njëjtën kohë kanë shtuar edhe zhgënjimin e tij personal.
“E shoh Dominikun dhe Ryanin duke rinovuar kontratat dhe kjo më bën shumë të lumtur, sepse ata e meritojnë, por në të njëjtën kohë më bën pak të trishtuar që unë nuk e mora timen”, u shpreh mesfushori.
Që prej transferimit te Liverpooli, Mac Allister ka zhvilluar 105 ndeshje në Premier League, duke shënuar 12 gola dhe dhënë 14 asistime. Në të gjitha garat, ai ka 21 gola dhe 23 asistime në 152 paraqitje.
Kontributi i tij nuk kufizohet vetëm te faza ofensive. Argjentinasi ka regjistruar 610 rikuperime të topit dhe ka marrë pjesë në 1,345 duele individuale, ndërsa ka tentuar edhe 196 duele ajrore.
Në 334 ndërhyrje të tentuara, Mac Allister ka fituar 185 prej tyre, ndërsa ka regjistruar edhe 103 ndërprerje dhe 119 largime të topit.
Mesfushori ka rikuperuar posedimin 328 herë në mesfushë, ndërsa gjatë periudhës së tij te Liverpooli ka krijuar 182 raste për gol. Përqindja e saktësisë së pasimeve nuk ka zbritur asnjëherë nën 82.35 për qind.
Pavarësisht ndryshimit në stolin e Liverpoolit dhe ardhjes së Andoni Iraolas, Mac Allister vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e skuadrës.
Megjithatë, nëse klubi nuk ndryshon qëndrim dhe nuk i ofron një kontratë të re, e ardhmja e tij në “Anfield” mund të bëhet një nga çështjet për t’u ndjekur gjatë sezonit.
Mac Allister nuk e ka fshehur asnjëherë lidhjen e tij me Liverpoolin, ndaj situata aktuale kontraktuale mbetet një çështje që mund të ndikojë në të ardhmen e tij te gjiganti anglez.























