Alvarez mendon ndryshimin e agjentit pas dështimit të largimit nga Atletico
BKT
Sport

Alvarez mendon ndryshimin e agjentit pas dështimit të largimit nga Atletico

F.B/RTKLive

Julian Alvarez po shqyrton mundësinë e ndryshimit të agjentit pas dështimit për t’u larguar nga Atletico Madridi gjatë afatit kalimtar të verës.

Sulmuesi argjentinas kishte shprehur dëshirën për t’u larguar nga klubi madrilen dhe për t’iu bashkuar Barcelonës. Megjithatë, Atletico Madridi mbajti qëndrim të prerë dhe nuk pranoi ta transferonte te rivali i drejtpërdrejtë në La Liga.

Situata mes dy klubeve u tensionua gjatë kësaj sage, ndërsa Atletico bëri të qartë se nuk kishte ndërmend ta shiste 26-vjeçarin te kampionët në fuqi të Spanjës.

Në garë për Alvarez ishte përfolur edhe Arsenali, por klubi anglez nuk paraqiti ofertë zyrtare. Nga ana tjetër, sulmuesi nuk ishte bindur për një rikthim në Premier League.

Sipas “Mundo Deportivo”, Alvarez vazhdon të dëshirojë largimin nga Atletico dhe po mendon se një ndryshim i përfaqësuesit mund ta ndihmojë të realizojë këtë synim në vitin 2027.

Argjentinasi është përfaqësuar gjatë gjithë karrierës së tij nga Fernando Hidalgo, por raportohet se tashmë është në bisedime me agjencinë The Elegant Game, të drejtuar nga ish-futbollisti Javier Pastore.

Kjo agjenci përfaqëson edhe mesfushorin e Chelseat, Enzo Fernandez.

Sipas raportimeve, drejtuesit e Atletico Madridit kishin kritikuar Hidalgo për mënyrën se si u menaxhua saga e transferimit, ndërsa edhe vetë Alvarez thuhet se është i pakënaqur me mënyrën se si përfundoi situata.

Për këtë arsye, ndryshimi i agjentit mund të jetë hapi i radhës për sulmuesin argjentinas, i cili mbetet i lidhur me një largim nga “Los Colchoneros”.