Prishtina nuk siguron LoC për lojtarët, nuk zhvillohet ndeshja me Pejën
BKT
Foto arkiv
Sport

Prishtina nuk siguron LoC për lojtarët, nuk zhvillohet ndeshja me Pejën

RTKlive

Ndeshja e paraparë të zhvillohet nesër ndërmjet KB Sigal Prishtina dhe KB Peja nuk do të zhvillohet dhe, në përputhje me rregulloret në fuqi, do të regjistrohet me rezultat zyrtar.

Federata e Basketbollit të Kosovës ka njoftuar se klubi kryeqytetas nuk ka arritur të sigurojë nga FIBA (LoC), lejet e transferimit për lojtarët e tij, si pasojë e obligimeve financiare të mëhershme dhe procedurave të hapura pranë FIBA-s dhe Tribunalit të Arbitrazhit të Basketbollit (BAT).

Ndërkohë, KB Sigal Prishtina ka bërë të ditur se shkak i situatës janë obligimet financiare ndaj agjentëve dhe disa lojtarëve, të cilat datojnë që nga fillimi i sezonit të kaluar.

Sipas klubit, këto obligime, për shkak të mosrespektimit të afateve të pagesave në fund të vitit 2025, kanë çuar në paraqitjen e rasteve pranë FIBA-s dhe BAT-it, ndërsa me kalimin e kohës detyrimet janë akumuluar dhe kanë arritur në shuma të konsiderueshme.

Klubi ka njoftuar se pagesat e kërkuara nga avokati që e përfaqëson pranë FIBA-s janë kryer, ndonëse me një vonesë të caktuar.

Megjithatë, sipas Prishtinës, procedurat pranë FIBA-s janë të ngarkuara edhe me raste të tjera të klubeve që janë në radhë para saj dhe që përballen me probleme të ngjashme.

KB Sigal Prishtina ka falënderuar Federatën e Basketbollit të Kosovës për mbështetjen dhe veprimet e ndërmarra për zgjidhjen e situatës, duke theksuar se vendimi përfundimtar dhe koha e përfundimit të procedurës pranë FIBA-s nuk kanë qenë në kompetencën e klubit.

“Shihemi në ndeshjen e radhës kundër Vllaznimit në Gjakovë”, thuhet në fund të njoftimit të KB Sigal Prishtinës.