Maran zbardh listën e Shqipërisë, rikthehet Berisha, dy debutues
F.B/RTKLive
Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Rolando Maran, ka publikuar listën e lojtarëve të grumbulluar për katër ndeshjet e radhës në kuadër të Ligës së Kombeve, që do të zhvillohen nga 26 shtatori deri më 6 tetor.
Lista e teknikut italian sjell disa rikthime, por edhe mungesa të rëndësishme. Në mesin e tyre është portieri Etrit Berisha, i cili rikthehet në Kombëtare pas mungesës së gjatë. Berisha është ftuar për shkak të dëmtimit të Tomas Strakoshës dhe eksperienca e tij ka bindur Maranin ta përfshijë në grupin prej katër portierësh. 37-vjeçari aktualisht aktivizohet në kampionatin suedez me Hacken.
Në listë janë rikthyer gjithashtu Rey Manaj, Marash Kumbulla dhe Ernest Muçi, të cilët kishin munguar në grumbullimet e fundit për shkak të problemeve fizike.
Në anën tjetër, jashtë kësaj liste kanë mbetur Armando Broja dhe Nedim Bajrami, dy emra të rëndësishëm të përfaqësueses shqiptare.
Maran ka sjellë edhe dy risi në Kombëtare. Bëhet fjalë për Sabah Kerjotën, sulmuesin e krahut të djathtë që luan për Hearts në Skoci, dhe mbrojtësin 19-vjeçar Samuele Sina, pjesë e Breshias në Itali.
Përfaqësuesit e vetëm të kampionatit shqiptar në këtë grumbullim janë portieri Mario Dajsinani dhe mbrojtësi Naser Aliji.
Shqipëria do ta nisë serinë e ndeshjeve më 26 shtator, kur në shtëpi do të përballet me Bjellorusinë. Tri ditë më vonë, më 29 shtator, kuqezinjtë do të udhëtojnë për përballjen me San Marinon, ndërsa më 3 tetor do të luajnë në udhëtim ndaj Finlandës.
Seria e ndeshjeve mbyllet më 6 tetor, kur Shqipëria do ta presë sërish San Marinon në shtëpi.
Stërvitjen e parë nën drejtimin e Maranit, kuqezinjtë do ta zhvillojnë pasditen e së hënës në Shtëpinë e Futbollit.























