Zgjedhjet në du lande në Gjermani rrisin presionin ndaj kancelarit Merz
Zgjedhjet lokale në Berlin dhe Meklenburg-Pomerani po zhvillohen në një klimë të vështirë politike për kancelarin gjerman Friedrich Merz. Sondazhet tregojnë se Unioni Kristian-Demokrat, CDU, rrezikon humbje të konsiderueshme, ndërsa rritja e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë, AfD, po shton presionin ndaj qeverisë së Merzit.
Zgjedhjet vijnë vetëm dy javë pas fitores së madhe të AfD-së në Saksoni-Anhalt, ku CDU-ja pësoi rënie të ndjeshme të mbështetjes. Në Berlin, CDU-ja rrezikon të humbasë pushtetin, ndërsa në Mecklenburg-Pomerani sondazhet e nxjerrin vetëm pak mbi pragun prej 5 për qind, të nevojshëm për të hyrë në parlamentin e landit.
Rezultatet mund të shtojnë debatet brenda CDU-së për të ardhmen politike të Merzit, i cili ndodhet në pushtet prej vetëm 16 muajsh. Kancelari ka deklaruar se do të vazhdojë detyrën, ndërsa brenda partisë janë shtuar zërat e pakënaqësisë, megjithëse deri tani nuk ka pasur një sfidë të hapur për postin e tij.
AfD-ja synon të shfrytëzojë suksesin e fundit për të dalë e para në Mecklenburg-Pomerani, ndërsa Partia Socialdemokrate, SPD, është rikthyer në garë me kryeministren e landit, Manuela Schwesig.
AfD-ja, disa degë të së cilës klasifikohen nga autoritetet gjermane të inteligjencës si ekstremiste të krahut të djathtë, kundërshton këtë vlerësim.
Merzi përballet ndërkohë me pakënaqësi për ekonominë e dobët, çmimet e larta të energjisë dhe debatin për emigracionin. Kritika ka pasur edhe për mënyrën e tij të komunikimit, veçanërisht pas deklaratave se gjermanët duhet të punojnë më shumë dhe të marrin më pak pushime mjekësore.
Mbështetësit e tij argumentojnë se shumë prej problemeve janë trashëguar nga qeveritë e mëparshme dhe se reformat ekonomike, tatimore dhe sociale janë ende në proces.
Merzi pritet të takohet me drejtues të lartë të CDU-së pas zgjedhjeve, ndërsa ka anuluar një vizitë të planifikuar në Nju Jork. Paqartësia politike në Gjermani vjen në një periudhë të ndjeshme për Evropën, ndërsa vendi mbetet një prej mbështetësve kryesorë të Ukrainës dhe kontinenti përballet me shqetësime në rritje për kërcënimin rus.























