Tajfuni Dujuan, autoritetet urdhërojnë evakuimin e 1.9 milion qytetarëve
Luan Qorraj /RTK
Autoritetet japoneze kanë urdhëruar evakuimin e rreth 1.9 milion qytetarëve nga zonat e rrezikuara nga tajfuni Dujuan, i cili pritet të jetë stuhia më e fuqishme që ka goditur Japoninë gjatë këtij viti.
Sipas njoftimeve, tajfuni, me erëra që arrijnë shpejtësinë deri në 200 kilometra në orë, i shoqëruar me reshje të mëdha, paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve në të paktën gjashtë prefektura të vendit, përfshirë edhe Tokion. Zyrtarët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin hyrjen në bodrumet e ndërtesave përderisa zgjat rreziku.
Si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga erërat e fuqishme, më shumë se 50 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike. Kompanitë ajrore, ndërkaq, janë detyruar të anulojnë rreth 400 fluturime ndërkombëtare, si dhe qindra fluturime të tjera lokale.
Meteorologët kanë bërë të ditur se presin që tajfuni Dujuan të fillojë të humbasë fuqinë gjatë 24 orëve të ardhshme, por kanë paralajmëruar se rreziku nga vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut mund të vazhdojë edhe disa ditë pas përfundimit të stuhisë.























