CNN, MS NOW dhe Politico padisin administratën Trump
BKT
Foto: CNN
Rajoni dhe Bota

CNN, MS NOW dhe Politico padisin administratën Trump

G.K/RTKlive

CNN, MS NOW dhe Politico kanë paditur administratën e presidentit amerikan Donald Trump, pasi tri mediat u ndaluan të kenë qasje në Shtëpinë e Bardhë, raporton CNN.

Tri organizatat mediatike kanë kërkuar ndërhyrjen e një gjykate federale për rikthimin e qasjes së gazetarëve të tyre në Shtëpinë e Bardhë. Në padi, ato pretendojnë se ndalimi shkel Amendamentin e Parë dhe mbrojtjen kushtetuese për proces të rregullt ligjor.

“Ky ndalim nuk mund të ishte një sulm më i drejtpërdrejtë ndaj Amendamentit të Parë dhe as një shkelje më flagrante e parimeve tona më themelore kushtetuese”, thuhet në padi.

Sipas CNN, mediat kanë thënë se Shtëpia e Bardhë ua ka hequr kredencialet gazetarëve të tyre pa njoftim apo proces, për shkak të kundërshtimeve ndaj raportimit të tyre.

“E pakundërshtuar, kjo kërcënon lirinë e shtypit dhe të drejtën e publikut për gazetari të pavarur, të lirë nga ndërhyrja e qeverisë”, thanë CNN, MS NOW dhe Politico.

Trump, ndërkaq, ka thënë se Shtëpia e Bardhë nuk po sulmon shtypin e lirë, por atë që ai e quan “lajme të rreme”.

Një seancë lidhur me kërkesën për një urdhër të përkohshëm ndalues është caktuar për të mërkurën. /Burimi: CNN


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota