Gjermania kritikon Costan për buxhetin e BE-së
BKT
Foto: AFP
Rajoni dhe Bota

Gjermania kritikon Costan për buxhetin e BE-së

G.K/RTKlive

Gjermania ka kritikuar presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, lidhur me negociatat për buxhetin e ardhshëm shtatëvjeçar të Bashkimit Evropian.

Sipas Politico.eu, Gunther Krichbaum tha para një takimi të ministrave për Çështje Evropiane në Bruksel se intervista e fundit e Costas për këtë medium ishte “jo shumë e dobishme” dhe kërkoi “më shumë realizëm” për buxhetin.

Në intervistën e zhvilluar në Dublin, Costa tha se arritja e një marrëveshjeje për taksa të reja në nivel të BE-së, të njohura si burime vetanake, është thelbësore për të parandaluar shkurtime të mëdha të buxhetit dhe për të mbajtur nën kontroll kontributet kombëtare.

Ai tha gjithashtu se shkurtimet në propozimin e Komisionit Evropian për një buxhet prej afro 2 trilionë eurosh mund të përballen me kundërshtimin e shumë qeverive kombëtare.

Gjermania dhe aleatët e saj nga Evropa Veriore po kërkojnë zvogëlimin e buxhetit me qindra miliarda euro, duke argumentuar se vendosja e taksave të reja të BE-së nuk është alternativë ndaj shkurtimeve të mëdha.

“Duhet të pyesim nëse zoti Costa e ka humbur plotësisht kontaktin me realitetin”, tha Krichbaum, sipas Politico.eu.

Ai shtoi se “buxhetet kombëtare janë nën presion të jashtëzakonshëm” dhe se “të gjithë e dinë se qielli nuk është kufiri”.

Qeveritë e vendeve të BE-së po kërkojnë që presidenca irlandeze e Këshillit të BE-së t’i përfshijë qëndrimet e tyre në dokumentin e ri negociues për buxhetin, i cili pritet të paraqitet në fillim të tetorit.

Costa pritet të marrë drejtimin e negociatave pas takimit të Këshillit Evropian në tetor, kur liderët e BE-së do të reagojnë ndaj propozimit të Irlandës.

Gjatë muajit të fundit, Costa ka vizituar 25 kryeqytete të BE-së për të diskutuar me liderët çështjet më të vështira të negociatave.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota