Van Bommel rikthehet në ‘Olimpico’: Duam ta dominojmë Italinë
BKT
Sport

Van Bommel rikthehet në ‘Olimpico’: Duam ta dominojmë Italinë

F.B/RTKLive

Trajneri i Belgjikës, Mark van Bommel, është rikthyer në stadiumin “Olimpico” të Romës, një arenë që për të lidhet me një kujtim të veçantë nga koha kur ishte futbollist i Milanit.

Holandezi ka kujtuar se në “Olimpico” ka luajtur vetëm një ndeshje, por ajo i ka mbetur në kujtesë pasi Milani triumfoi dhe e fitoi titullin e kampionit.

“Kam luajtur vetëm një ndeshje në ‘Olimpico’ dhe fituam titullin. Është bukur të rikthehem këtu. Jemi përgatitur mirë, edhe pse nuk do të jetë një ndeshje e lehtë. Shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv”, ka thënë Van Bommel.

Belgjika do të përballet me Italinë e Roberto Mancinit, në një sfidë që Van Bommel e konsideron një test të madh për skuadrën e tij.

“Nuk është e lehtë të përgatitësh një ndeshje të tillë për vetëm katër ditë. U mblodhëm të hënën dhe të premten luajmë. Italia dhe Mancini kanë të njëjtin problem. Edhe ai po nis nga zeroja. Pas tri kualifikimeve të munguara, Italia do të përpiqet të bëjë më të mirën, ndaj ne duhet të jemi të gatshëm”, u shpreh ai.

Van Bommel theksoi se Belgjika synon të luajë pa frikë dhe të marrë iniciativën në këtë përballje.

“Është një sfidë e madhe për ne. Duam të luajmë ndeshje të vështira si kjo me Italinë. Është një sfidë e dyfishtë: duam ta dominojmë lojën dhe të fitojmë. Nëse ia dalim, atëherë jemi në rrugën e duhur”.

Në fund, trajneri belg foli edhe për Milanin, klubin ku ka kaluar një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij si futbollist.

“Kam folur me De Winter dhe Moreira për Milanello-n, stadiumin dhe Milanin. Kuqezinjtë duhet të rikthehen te fitoret si më parë. Prej disa vitesh nuk janë në një situatë të mirë. Të drejtoj Milanin në të ardhmen? Do të më pëlqente”, përfundoi Van Bommel.