Gjimshiti: Duam vendin e parë, synojmë Evropianin për herë të tretë
F.B/RTKLive
Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, në një konferencë për media, ka folur për atmosferën në skuadër, objektivat në Ligën e Kombeve dhe ndryshimet taktike që mund të aplikohen nga trajneri italian.
Gjimshiti vlerësoi ditët e grumbullimit dhe rikthimin e portierit Etrit Berisha, duke theksuar se atmosfera në ekip është pozitive.
“Besoj që e kam gjetur skuadrën shumë mirë. Kemi pasur pak më shumë kohë. Na nevojiteshin këto ditë për të mësuar dhe ushtruar idetë e trajnerit. Është një frymë shumë pozitive në Kombëtare. Etriti është rikthyer, është lojtar kyç dhe me eksperiencë. E njoh, kam luajtur me të në Itali dhe do t’u japë një dorë të rinjve”, deklaroi Gjimshiti.
Mbrojtësi shqiptar foli edhe për vendimin e tij për t’u transferuar në Arabinë Saudite, duke e cilësuar këtë eksperiencë si një sfidë të rëndësishme në karrierën e tij.
“Pse në Arabi? Ndoshta i kam hapur rrugën Asllanit. Ka qenë vendimi im, bashkë me Atalantën. Ndoshta nga jashtë nuk duket kampionat i fortë, sepse nuk e transmetojnë të gjitha televizionet, por është një ligë shumë e vështirë. Ka shumë lojtarë me cilësi që kanë ardhur nga Evropa në tre-katër vitet e fundit. Nuk është aq e thjeshtë sa duket. Sidomos për mbrojtësit, sepse çdo ekip ka një sulmues me emër. Për mua është një sfidë e madhe si mbrojtës”, u shpreh ai.
Sa i përket objektivave të Shqipërisë në Ligën e Kombeve, Gjimshiti ishte i qartë: synimi është vendi i parë dhe kualifikimi për një tjetër Kampionat Evropian.
“Premtimi është se do të japim maksimumin, do të jemi të gjithë bashkë, si në fitore, ashtu edhe në humbje. Duam vendin e parë dhe të kemi mundësinë për të shkuar për herë të tretë në Europian. Ky është synimi dhe kjo është rruga e duhur”, theksoi kapiteni kuqezi.
Gjimshiti foli edhe për skemat taktike që mund të përdorë Maran, duke lënë në dorë të trajnerit vendimin përfundimtar.
“Këto vite kam pasur disa trajnerë dhe taktika të ndryshme. Kam folur shumë me trajnerin Maran për taktikat dhe gjëra të tjera. Mendoj se do të vendosë më të mirën për ekipin, që të përshtaten të gjithë lojtarët dhe ajo që na hap rrugën për sukses. Luajmë me tre apo me katër, nuk besoj se ndryshon shumë. Atë e vendos trajneri në fund”, tha Gjimshiti.
Kapiteni shqiptar nënvizoi rëndësinë e mentalitetit për arritjen e objektivave, duke kujtuar edhe mundësinë e humbur për kualifikimin në Botëror.
“Ne kemi pretendime për vendin e parë. Kam parë gjithmonë për maksimumin. Nuk kishim fat me Poloninë për Botërorin, do të ishte një arritje e madhe. Prapë do të shikojmë të përsërisim Europianin. Pse jo për herë të tretë? Mentaliteti ka shumë rëndësi kur zbret në fushë, sepse gjithçka fillon në kokë. Në verë trajneri ka pasur idetë e tij, por nuk kishim shumë kohë”, përfundoi Gjimshiti.























