Greqia befason Gjermaninë e Kopp-it
BKT
Sport

Greqia befason Gjermaninë e Kopp-it

F.Bytyqi/RTKLive

Greqia ka regjistruar fitore historike ndaj Gjermanisë, duke triumfuar 1-0 në Augsburg në kuadër të Ligës së Kombeve.

Golin e vetëm të takimit e shënoi Dimitrios Kourbelis në pjesën e dytë, duke i dhënë Greqisë fitoren e parë në histori ndaj Gjermanisë në përballjet direkte.

Pas barazimit dramatik ndaj Holandës në ndeshjen e parë, Gjermania kërkonte reagim në shtëpi, ndërsa Greqia vinte pas një fitoreje në debutimin e saj në Ligën A.

Gjermanët e nisën ndeshjen ngadalë dhe në minutat e para nuk arritën të krijonin raste të rrezikshme. Rasti i parë i takimit i takoi debutuesit Bambase Conte, i cili në minutën e tretë goditi pranë shtyllës.

Gjermania gradualisht mori kontrollin e lojës dhe pas gjysmë ore Karim Adeyemi depërtoi në zonë, por goditja e tij përfundoi mbi portë.

Sulmuesi ishte ndër lojtarët më aktivë të vendasve dhe pak minuta më vonë detyroi portierin grek të intervenonte pas një goditjeje të fuqishme nga jashtë zonës.

Megjithatë, dominimi i Gjermanisë nuk u shndërrua në gol dhe pjesa e parë përfundoi pa rrjeta.

Edhe pas pushimit, skuadra gjermane vazhdoi të kontrollonte lojën, por mungesa e konkretizimit në fazën ofensive po bëhej gjithnjë e më evidente.

Greqia, në anën tjetër, filloi të gjente më shumë hapësira në kundërsulme. Në minutën e 73-të, Christos Tzolis pati një mundësi të mirë për ta zhbllokuar rezultatin, por pas depërtimit nga krahu i djathtë, pasimi i tij në zonë nuk gjeti asnjë bashkëlojtar.

Vetëm një minutë më vonë, grekët goditën. Tzolis ishte sërish protagonist, pasi depërtoi nga krahu i majtë dhe pasimi i tij në qendër u devijua drejt Kourbelisit. Mesfushori i Asteras Tripolis goditi nga jashtë zonës, ndërsa topi u devijua nga Joshua Kimmich dhe përfundoi në rrjetë, duke e befasuar portierin Alexander Nubel.

Gjermania nuk arriti të reagojë në minutat e mbetura dhe Greqia e ruajti avantazhin deri në fund.

Kjo ishte fitorja e parë e Greqisë ndaj Gjermanisë në histori, ndërsa grekët kanë nisur Ligën e Kombeve me dy fitore radhazi dhe janë ngjitur në krye të Grupit A2.

Gjermania, ndërkohë, mbetet ende në kërkim të fitores së parë nën drejtimin e trajnerit të ri, pas dy ndeshjeve të para.