Pulis: Ndihemi të mashtruar, City duhet të japë llogari për finalen e vitit 2011
F.B/RTKLive
Ish-trajneri i Stoke Cityt, Tony Pulis, ka reaguar për akuzat financiare ndaj Manchester Cityt, duke rikthyer në vëmendje edhe finalen e FA Cup të vitit 2011.
Manchester City raportohet se është shpallur fajtor për 114 nga 115 shkeljet financiare të pretenduara në Premier League. Megjithatë, liga angleze ende nuk e ka konfirmuar publikisht vendimin, ndërsa klubi ka bërë të ditur se do ta apelojë atë.
Pulis, i cili udhëhoqi Stoke Cityn drejt finales së FA Cup në vitin 2011, ka thënë se situata aktuale i ka rikthyer ndjenjën se skuadra e tij ishte privuar nga një moment historik për klubin.
“Ne humbëm, por ndaj një skuadre që është shpallur fajtore për shkeljen e rregullave financiare të vendosura nga Premier League”, ka shkruar Pulis në një kolumne për “BBC”-në.
Ai shtoi se Manchester City, përveç triumfit ndaj Stoke Cityt në finalen e FA Cup, vazhdoi më pas të dominojë futbollin anglez dhe të fitojë një numër të madh trofesh.
“E di që të gjithë tifozët e Stoke do të kërkojnë që City ta dorëzojë trofeun dhe se çdo klub që është prekur nga veprimet e tyre do të shqyrtojë mundësitë ligjore”, u shpreh Pulis.
Megjithatë, ish-trajneri nuk pret që Manchester City të dorëzojë trofeun e FA Cup të vitit 2011 apo medaljet e fituara atë sezon.
“Nuk pres që Manchester City të telefonojë klubin apo mua dhe të ofrojë kthimin e FA Cup të vitit 2011 dhe medaljeve që morën lojtarët e tyre. Nuk besoj se do të kthehen as trofetë e tjerë. Një zbritje pikësh dhe një gjobë e madhe duken shumë më të mundshme”, tha ai.
Pulis pranoi se, pavarësisht se çfarë vendimi do të merret, ajo ditë nuk mund të kthehet më.
“Unë ende ndihem i mashtruar. Çfarëdo që të ndodhë më pas, ne nuk do ta kemi më atë ditë dhe mundësinë për të festuar në Stoke-on-Trent me kupën dhe medaljet për të cilat luftuam me ndershmëri. Pas shkeljes së rregullave, Manchester City ishte ai që pati mundësinë ta bënte këtë”, përfundoi Pulis.
Nëse titujt e Manchester Cityt nga periudha në fjalë do të hiqeshin, klubi do të humbiste edhe tre tituj të Premier League. Për këtë çështje kanë reaguar edhe ish-lojtarë të skuadrave që përfunduan në vendin e dytë, mes tyre Rio Ferdinand, Jose Enrique dhe David De Gea.























