Rusia vazhdon me sulme mbi infrastrukturën civile në Ukrainë
Luan Qoraj / RTK
Forcat ruse kanë vazhduar me sulme ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë, duke goditur një numër caqesh në pjesë të ndryshme të vendit dhe duke shkaktuar viktima dhe dëme.
Sipas njoftimeve, që nga orët e mëngjesit, Rusia lëshoi qindra fluturake pa pilot dhe raketa balistike drejt pjesëve të ndryshme të Ukrainës. Edhe pse një pjesë e madhe e tyre u ndaluan nga mbrojtja ajrore, një pjesë arriti të tejkalojë mbrojtjen, duke goditur objekte farmaceutike, pompa të benzinës dhe objekte mjekësore.
Është bërë e ditur se në Kiev, forcat ruse, mes tjerash, goditën ndërtesën e Akademisë së Shkencave të Ukrainës, duke vrarë një person dhe duke plagosur së paku 19 civilë të tjerë. Gjithashtu, ka raporte për goditje në një qendër biznesi në Dnipro, me ç’rast u vranë tre persona, si dhe për sulme ndaj depove të ndryshme.
Gjithashtu, është bërë e ditur se Rusia goditi tri anije tregtare që gjendeshin në Detin e Zi, si dhe disa qendra të të dhënave.
Gjatë javëve të kaluara, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës civile, si dhe ndaj civilëve në Ukrainë. Zyrtarët në Kiev thonë se këto sulme vetëm po e tregojnë dobësinë e Rusisë, e cila më nuk është në gjendje të godasë caqe të rëndësishme ushtarake, por Moska shpreson që, me sulme të tilla, do ta dëmtojë moralin e mbrojtësve.























