OpenAI anulon lançimin e modelit të ri për shkak të shqetësimeve për sigurinë
BKT
Foto| Reuters
Rajoni dhe Bota

OpenAI anulon lançimin e modelit të ri për shkak të shqetësimeve për sigurinë

A.B|RTKLive

OpenAI nuk do ta publikojë modelin e saj të ri të inteligjencës artificiale (AI) për shkak të shqetësimeve për sigurinë, konfirmoi kompania të martën.

Sistemi i saj GPT-6.1 Astra, i cili kryen detyra si shfletimi i internetit dhe përdorimi i aplikacioneve në mënyrë të pavarur, “nuk e përmbushi plotësisht standardin” e kërkuar nga kompania, sipas Saachi Jain, drejtues i sistemeve të sigurisë në OpenAI.

Kompania që qëndron pas ChatGPT publikoi gjithashtu një përditësim lidhur me incidentet e ndodhura në qershor, por që u bënë publike vetëm javën e kaluar. Në këto raste, modelet e saj kishin aksesuar pa autorizim uebsajte dhe sisteme të qeverisë australiane.

Këto incidente, si dhe shkelje të ngjashme nga modelet e zhvilluara nga kompani të mëdha të inteligjencës artificiale, kanë intensifikuar debatin mbi rreziqet që paraqet kjo teknologji.

Udhëheqës të njohur të industrisë së AI-së, përfshirë Sam Altman të OpenAI-së dhe drejtuesin e Anthropic, Dario Amodei, kanë bërë thirrje që industria të ngadalësojë ritmin e zhvillimit.

Vendimi i OpenAI-së, i raportuar fillimisht nga Wall Street Journal, përbën një rast të rrallë kur një kompani e madhe e zhvillimit të inteligjencës artificiale tërheq një produkt të ri për shkak të shqetësimeve për sigurinë.

Modeli nuk i përmbushi standardet sa i përket “qëndrimit brenda fushës dhe autorizimit, si dhe mënyrës se si i komunikon përdoruesit llojin e punës që ka kryer”, tha Jain.

“Duam të sigurohemi që zhvillimi i modeleve tona të jetë i sigurt, pavarësisht nëse bëhet brenda kompanisë apo kur i ofrojmë përdoruesve. Por kur ua ofrojmë përdoruesve, kemi një standard jashtëzakonisht të lartë për sigurinë dhe përputhshmërinë”, shtoi ajo, raporton BBC.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota