Trepça apo Bashkimi? Superkupa vendoset sonte në ‘Mizahir Isma’
F.B/RTKLive
Trepça dhe Bashkimi do të përballen sonte për trofeun e Superkupës së Kosovës në basketboll, në një finale që pritet të sjellë përballje interesante mes dy skuadrave me objektiva të ndryshëm.
“Xehetarët” kanë dominuar basketbollin kosovar në vitet e fundit, duke fituar pesë Kupa të Kosovës radhazi, tre tituj kampioni radhazi, si dhe dy Superkupat e fundit.
Megjithatë, skuadra mitrovicase nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë këtë sezon. Trepça e fitoi me vështirësi ndeshjen hapëse ndaj Rahovecit 029, 106:101 në udhëtim, ndërsa në xhiron e dytë u mposht 87:81 nga Peja në “Minatori”.
Në këtë sfidë, Trepçës i munguan Mikaile Tmusic dhe Kevin Bracy-Davis, ndërsa trajneri Adis Beqiragic ka bërë të ditur se skuadra ka nevojë për përforcim në pozitën numër katër.
Në anën tjetër, Bashkimi ka regjistruar një start shumë më pozitiv në kampionat. Prizrenasit fillimisht triumfuan 96:60 ndaj Golden Eagle Yllit, ndërsa më pas mposhtën Rahovecin 029 me rezultat 100:84, pikërisht në palestrën “Mizahir Isma”, ku do të zhvillohet edhe finalja e Superkupës.
Bashkimi në vitet e fundit ka pasur disa përballje të rëndësishme me Trepçën në finale, por prizrenasit synojnë që kësaj radhe ta shfrytëzojnë formën e mirë dhe të sigurojnë trofeun.
Në anën tjetër, Trepça kërkon reagimin pas humbjes ndaj Pejës dhe synon ta nisë sezonin me trofe.
Finalja e Superkupës së Kosovës zhvillohet sonte, të martën, nga ora 19:00, në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.
Ndeshja ishte paraparë të zhvillohej më 15 shtator, por Federata e Basketbollit e Kosovës vendosi ta shtyjë atë për një datë tjetër.























